Bimët mjekuese dhe aromatike, mënyra e kultivimit dhe përdorimi i tyre ishin një pjesë e bisedës me Havushe Bunjakun, themeluese e “99 Lule”, në episodin e shtatë të podcastit “Rrugëtimi”.
Bunjaku ka treguar se në zonat ku operojnë grumbullojnë dhjetëra lloje të bimëve që rriten spontanisht në natyrë, ndërsa një numër tjetër kultivohen.
“Diku i kemi dyzet e shtatë lloje që veç të egrat qat pjesë i grumbullojmë, pastaj i kemi edhe disa lloje që i kultivojmë kryesisht nëpër fshatra të ndryshëm”, ka treguar Bunjaku.
Sipas saj, “99 Lule” ka edhe mbi 15 lloje të kultivuara, ndërsa fidanët dhe farat për disa prej tyre janë marrë nga shtete të ndryshme.
Duke folur për bimët mjekuese dhe aromatike në përgjithësi, Bunjaku tha se ato përdoren në disa sektorë.
“Këto mund të përdoren për të parandaluar ndonjë sëmundje, mos me ardhë deri te sëmundjet. Për aroma, për bukuri, domethënë edhe për shëndetin brendshëm, edhe për bukuritë e jashtme”, ka thënë ajo.
Ajo përmendi përdorimin e tyre në ushqim dhe pije, farmaci dhe në produktet e bukurisë.
“Përdoren në sektorin e ushqimit dhe të pijeve, si erëza edhe çajra, në sektorin e farmacisë që kanë efekte shëndetësore, edhe në sektorin e bukurisë që këto bimë, nëse përpunohen, krijohen produkte shumë të mira e shumë të vlefshme”, tha Bunjaku.
Mes bimëve që përmendi gjatë intervistës ishte çaji i malit. Një tjetër bimë për të cilën foli ishte lulja e Akilit, e njohur sipas saj edhe si bar pezmi.
“E kemi lulen e Akilit, përndryshe njihet si bar pezmi. Kjo është antibiotik natyral, është shumë i mirë. Përveç çajit, na e kemi edhe vajin e lules së Akilit”, ka deklaruar Bunjaku.
E pyetur konkretisht për përdorimin e saj, Bunjaku tha:
“Tash lulja e Akilit përdoret antibiotik natyral për çdo infeksion në organizëm, duke fillu prej problemeve me bajame, me fyt e deri te problemet e lukthit e të vezoreve, të veshkëve, domethënë çdo gjë që ka infeksion, përndryshe edhe për infeksione të lëkurës”, ka thënë ajo.
Bunjaku veçoi edhe kalendulën, për të cilën tha se “99 Lule” e përdor në disa produkte.
“Tani e kemi kalendulen që të ndoshta pak dua ta dalloj, sepse edhe si çaj, edhe vaj, edhe e kemi bazë kryesore për kremrat”, ka treguar ajo.
Në listën e bimëve që kultivohen apo përdoren nga kompania janë edhe lloje të ndryshme të mentës.
“Pastaj i kemi llojet e mentes. Është edhe menta e egër, por është edhe një mentë që ne e kultivojmë, është menta piperita”, tha Bunjaku.
Ajo foli edhe për melisën, të cilën në intervistë e identifikoi edhe si “bar bletës”.
“E kena melisën, njihet si melisë, përndryshe si bar bletës, është çaj qetësues. Atë e përdorin edhe studentët që kanë probleme me pagjumësi”, ka thënë ajo.
Megjithëse gjatë bisedës foli për përdorimet dhe efektet që ua atribuon bimëve të ndryshme, Bunjaku bëri edhe një thirrje për kujdes ndaj mënyrës se si prezantohen ato para konsumatorëve.
“Unë ju bëj thirrje dhe gjithë që prodhojnë çajra, që merren me këtë sektor dhe që e thërrasin edhe veten si doktor popullor, është mirë m’i tregu konsumatorit që bimët njihen siç bëjnë mrekulli, po mos prit shumë mrekulli ndoshta”, tha ajo.
Sipas saj, pritjet e mëdha mund të sjellin edhe zhgënjime të mëdha.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë që informacionet të bazohen në burime profesionale dhe jo vetëm në informacione të dëgjuara apo të gjetura në internet. /Telegrafi/