Pas vitesh duke i zhvendosur pothuajse të gjitha funksionet e makinave në ekranet me prekje, Volvo po ndryshon qasje dhe po rikthen disa kontrolle fizike në kabinë.
Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje pas prezantimit të strategjisë së kompanisë për vitin 2026, drejtuesi i rikthyer i dizajnit, Thomas Ingenlath, tha se Volvo dëshiron të rishqyrtojë mënyrën se si shoferët ndërveprojnë me automjetet.
Sipas tij, mungesa e kontrolleve fizike është një nga çështjet që kompania dëshiron të adresojë, veçanërisht pasi klientët dhe gazetarët kanë kritikuar gjithnjë e më shumë interieret e mbushura me ekrane.
Volvo nuk planifikon të rikthejë panelet e vjetra me dhjetëra çelësa dhe butona. Ingenlath ka përjashtuar një rikthim te “rreshtat dhe rreshtat” e komandave që gjendeshin në disa modele të vjetra.
Në vend të kësaj, kompania dëshiron të përcaktojë se cilat funksione kryhen më mirë fizikisht dhe cilat përmes ekranit, transmeton Telegrafi.
“Ne nuk po heqim dorë nga ekrani me prekje. Do ta përdorim për atë që ekrani është i mirë. Por çdo funksion që duhet të jetë vazhdimisht i disponueshëm nuk duhet domosdoshmërisht të jetë në ekran”, shpjegoi Ingenlath.
Ai tha se për këtë arsye Volvo do të rikthejë “disa butona më shumë” në krahasim me makinat e sotme, transmeton Telegrafi.
Ingenlath e krahasoi filozofinë e re me kamerat klasike Leica, ku rëndësi nuk ka vetëm fakti që komandat mund të preken fizikisht, por edhe mënyra se si ato ndihen dhe funksionojnë.
Materialet, forma e komandave, tingulli i një butoni kur shtypet dhe mënyra e ndryshme e përdorimit të tyre mund t’i japin drejtuesit një ndjesi më të drejtpërdrejtë dhe më cilësore.
Kjo mund të nënkuptojë rikthimin e komandave rrotulluese, çelësave me forma të dallueshme dhe butonave të integruar natyrshëm në dizajnin e kabinës.
Sipas Ingenlath, kontrollet fizike duhet të sjellin edhe një ndjesi më të fortë “premium” në interier.
Ndryshimet nuk do të kufizohen vetëm te kabina. Ingenlath la të kuptohet se Volvo dëshiron të bëhet sërish më e dallueshme përmes dizajnit, duke paralajmëruar një interpretim të ri të pjesës së përparme të automjeteve.
Ndryshimet mund të përfshijnë edhe mënyrën se si paraqitet logoja karakteristike e Volvo-s dhe grila që e rrethon atë.
Një koncept i ri, që pritet të prezantohet në 2027, në vitin kur Volvo feston 100-vjetorin, do të japë një ide më të qartë se në cilin drejtim po shkon dizajni i markës suedeze.