Nga papunësia dhe një ide e lidhur me profesionin e saj, te krijimi i një biznesi që sot bashkëpunon me mbi 75 gra me kontrata të rregullta. Havushe Bunjaku, themeluese e “99 Lule”, është e ftuara e episodit të shtatë të podcastit “Rrugëtimi”, me redaktoren Jehona Hulaj, ku ka rrëfyer historinë e krijimit të biznesit, vështirësitë e fillimit dhe përfshirjen e grave në kultivimin dhe grumbullimin e bimëve mjekuese dhe aromatike.
Bunjaku kishte studiuar biologjinë në Universitetin e Prishtinës dhe kishte punuar për disa vite në arsim. Pas krijimit të familjes dhe në rrethana të ndryshme, ajo mbeti pa punë.
Njohuritë shkencore për bimët dhe përvoja që kishte fituar përmes aktiviteteve të lidhura me të drejtat dhe fuqizimin e grave, më pas u bashkuan në idenë e një biznesi.
“Edhe kur ngela pa punë, u mundova me i ndërthur shumë arsye që me fillu një biznes”, ka treguar ajo në “Rrugëtimi”.
Synimi, sipas saj, nuk ishte krijimi i një biznesi vetëm për shitje dhe përfitim.
“Po, një biznes me një strategji afatgjate, me një qëndrueshmëri dhe me një objektiv, që të ketë një ndikim sa më të madh në shoqëri”, ka thënë Bunjaku.
Havushe Bunjaku, themeluese e “99 Lule” në podcastin “Rrugëtimi”Foto: Ridvan Slivova
Rruga drejt krijimit të “99 Lule” nuk nisi me kapital të gatshëm për investim.
Duke folur për vajzat e reja që kanë ide për biznes, por nuk kanë mundësi financiare, Bunjaku ka treguar edhe pikën nga e cila kishte nisur vetë.
“Edhe unë kom fillu pa financa…si thotë dikush me zero, po ndoshta edhe nën zero, ndoshta edhe me obligime e borxhe tjera”, ka deklaruar ajo.
Fillimisht ajo kishte shitur çajra te familjarët, ndërsa për rreth dy vjet kishte punuar pa një emër të përcaktuar të biznesit.
– YouTube www.youtube.com
Më pas nevoja për pajisje, tharjen, ruajtjen dhe përpunimin profesional të bimëve e kishte shtyrë drejt formalizimit dhe investimeve të tjera.
Në vitin 2012, sipas rrëfimit të saj, kishte aplikuar për herë të parë në një projekt mbështetës dhe e kishte fituar atë.
Një nga pjesët më të veçanta të historisë së “99 Lule” është bashkëpunimi me gratë. Por Bunjaku pranon se në fillim nuk ishte e lehtë t’i bindte ato.
Ajo kujton edhe një prej reagimeve që kishte marrë kur kishte tentuar ta përfshinte një grua në këtë veprimtari.
“Jo unë erdha me ndihmu me gjet një punë diku në Prishtinë, se unë për mu marr me bujqësi, mu shpirti m’ka dal prej bujqësisë…!”, rrëfen Bunjaku.
Sipas saj, gratë kishin punuar shumë në bujqësi, por puna e tyre nuk ishte bërë sa duhet e dukshme.
“Qëllimi ka qenë me dalë në pah puna e grave”, thotë ajo. Bunjaku ka treguar se kishte raste kur shkonte në fshatra dhe zhvillonte takime me katër apo pesë gra për t’ua shpjeguar modelin e bashkëpunimit. Edhe nëse vetëm njëra pranonte, ajo përdorej si shembull që rezultatet të shiheshin edhe nga të tjerat.
Havushe Bunjaku, themeluese e “99 Lule” në podcastin “Rrugëtimi”Foto: Ridvan Slivova
Pengesat nuk përfundonin vetëm te bindja për t’u përfshirë në punë.
“Edhe ka thënë: A më lejon ta diskutoj me familje edhe kur ma ka ofru aty ka nënshkru burri”, ka treguar ajo.
Sipas saj, këto raste nuk refuzoheshin, pasi një veprim i tillë mund ta prishte bashkëpunimin, por më pas kërkohej që në kontratë të vendosej edhe nënshkrimi i gruas.
Numri i grave që kanë kaluar ndër vite nëpër projekte, trajnime dhe forma të tjera të mbështetjes është i madh.
Gjatë episodit, Bunjaku flet edhe për mënyrën e grumbullimit dhe kultivimit të bimëve, certifikimin organik, zhvillimin e produkteve dhe procesin që qëndron pas tyre.
Pas rreth 16 vjetësh në këtë rrugëtim, mesazhi i saj për të rinjtë që kanë një ide, por presin momentin ideal për ta nisur, është i drejtpërdrejtë: “Kushtet s’ka me pritë me i kriju. Në atë moment që të lindë ideja dhe në atë moment që e din që ti din me bo qatë punë, filloje”, shprehet Bunjaku. /Telegrafi/