Havushe Bunjaku thotë se mungesa e financave nuk duhet ta ndalojë domosdoshmërisht një të ri që ka një ide dhe është i vendosur ta kthejë atë në biznes.
Themeluesja e “99 Lule”, e ftuar në episodin e shtatë të podcastit “Rrugëtimi”, ka folur për fillimet e saj dhe mesazhin që do t’ia jepte sot një vajze 20-vjeçare që ka një ide për biznes, por nuk ka të ardhura financiare dhe nuk di se nga t’ia fillojë.
Bunjaku e lidh këtë këshillë drejtpërdrejt me historinë e saj.
“Tash unë dhe unë e kam fillu pa financa. Besa, si thotë dikush me zero, po ndoshta edhe nën zero, ndoshta edhe me obligime e borxhe tjera, po nëse është e vendosur, mundësitë janë me fillu”, ka thënë Bunjaku.
Rruga e saj drejt biznesit kishte nisur pasi kishte mbetur pa punë.
Ajo kishte studiuar biologjinë në Universitetin e Prishtinës dhe kishte punuar disa vite në arsim. Njohuritë për bimët mjekuese dhe aromatike, së bashku me përvojën që kishte krijuar në aktivitete që lidheshin me të drejtat dhe fuqizimin e grave, më pas i kishte orientuar drejt një ideje biznesi.
“Edhe kur ngela pa punë, u mundova me i ndërthur shumë arsye që me fillu një biznes. Që mos m’u quajt vetëm biznes shit dhe blej, domethënë përfito. Po, një biznes me një strategji afatgjate, me një qëndrueshmëri dhe me një objektiv, që të ketë një ndikim sa më të madh në shoqëri”, ka treguar ajo.
Fillimi, megjithatë, nuk ishte shoqëruar me një kapital të gatshëm për investim.
Bunjaku ka treguar se në fazën e parë i kishte shitur çajrat edhe te familjarët, ndërsa më vonë kishte kuptuar se zhvillimi i aktivitetit kërkonte investime në pajisje dhe infrastrukturë.
“Ishte pak e vështirë me investu, sepse e fillova biznesin qeshtu pa punë, domethënë nuk filloi një biznes që pata financa, e thash t’i investoj dikun për me kriju të ardhme. Unë e fillova në një mënyrë ndryshe”, ka deklaruar Bunjaku.
Një mundësi konkrete kishte ardhur përmes thirrjeve për mbështetjen e bizneseve.
“Edhe për fat, ishin disa thirrje për biznese grave, për biznese të ndryshme, vetëm që u kërkoje ide inovative. Kur kam apliku 2012-ën, për herë të parë, menjëherë projektin e parë e kam fitu”, ka treguar ajo.
Pas rreth 16 vjetësh në këtë veprimtari, Bunjaku thotë se ëndrra nuk duhet të braktiset as kur gjatë rrugës shfaqen pengesa.
“Ëndrrën mos me lanë asnjëherë, edhe nëse zhgënjehet, edhe nëse ndodh që rrëzohet gjatë rrugës, sepse patjetër që kanë me dalë pengesa”, ka thënë ajo.
Ajo këshillon që të hulumtohen edhe mundësitë për mbështetje financiare, qoftë përmes institucioneve apo formave të tjera të financimit.
Por krahas financave, Bunjaku e konsideron të rëndësishëm edhe vetëbesimin.
“Frikën mos me pasë hiç, domethënë edhe nëse e ka frikën mos me shprehë, e majtë frikën pak në vete, por më shumë e shpreh vetbesimin”, ka thënë ajo.
Mesazhin që ua jep edhe vajzave të saj, Bunjaku e përmbledh në zgjedhjen e një pune që personi e do dhe di ta bëjë.
Ndërsa për ata që presin krijimin e kushteve ideale para se të ndërmarrin hapin e parë, mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë.
“Mos m’u zhgënjye asnjëherë dhe mos me e prit që bahet mirë. Kushtet s’ka me pritë me i kriju. Në atë moment që të lindë ideja dhe në atë moment që e din që ti din me bo qat punë, filloje”, ka përfunduar Bunjaku. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com