Pavarësisht detyrimeve të shumta, futbollistët ndërkombëtarë gjejnë kohë edhe për pasionet e tyre. Njëri prej tyre është ylli i Real Madrid, Vinicius Junior, i cili pas stërvitjeve relaksohet duke luajtur videolojëra.
Megjithatë, një gjë është një mënyrë e shëndetshme për t’u çlodhur dhe shpërqendruar, dhe tjetër gjë është të kalosh shumë orë para ekranit. Këtë e pranoi vetë sulmuesi i “Los Blancos” në një bisedë me Ibai Llanos, transmetues dhe komentator i njohur i esports.
Vinicius zbuloi rutinën e tij të përditshme: stërvitje, kthim në shtëpi, pushim, ushqim dhe më pas kohë për lojëra në konsolë. Braziliani tha se nga ora 19:00 deri në mesnatë luan në PlayStation 5 me miqtë e tij, kryesisht dy lojërat e preferuara: Call of Duty dhe EA Sports FC 26.
“Jam i mirë në FIFA. Luajmë Pro Clubs, secili me lojtarin e vet. Kam një ekip të mirë dhe kaloj shumë mirë me miqtë e mi këtu dhe me ata nga Brazili. Ajo që më pëlqen më shumë të bëj në shtëpi është të luaj PlayStation dhe padel. Madje kam ndërtuar edhe një fushë në shtëpi”, u shpreh Vinicius.
Sa i përket performancës në fushë, ai ka luajtur 23 ndeshje për Real Madridin këtë sezon, duke shënuar tetë gola, përfshirë tre nga pika e bardhë. Ka grumbulluar 1.768 minuta në fushë, ka marrë pesë kartonë të verdhë dhe ka realizuar 53 driblime të suksesshme nga 127 tentativa.
Në UEFA Champions League, ai ka regjistruar tetë paraqitje, një gol dhe gjashtë asistime në 631 minuta lojë. Shpejtësia e tij maksimale këtë sezon ka qenë 34.06 km/orë, ndërsa saktësia në pasime është 78.4 për qind. /Telegrafi/