Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, Elvana Shala, po qëndron në New York ku po vijon angazhimin e saj në kuadër të Forumit Rinor të Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC Youth Forum), një nga platformat më të rëndësishme globale për politikat rinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në ditën e parë të forumit, Shala mori pjesë në një takim me Presidentin e Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së, Sh.T. Lok Bahadur Thapa, si dhe me delegacione të ndryshme nga vende të shumta të botës. Gjatë këtyre takimeve u theksua roli i rinisë së Kosovës në avancimin e agjendës globale të zhvillimit dhe kontributi i saj në çështjet ndërkombëtare.
Në ditën e dytë të forumit, aktivitetet e saj nisën me një takim të përbashkët me ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë në OKB, Blerim Reka dhe Suela Janina. Më pas, ajo mori pjesë si folëse në panelin “Youth leadership: a critical force in shaping a sustainable and inclusive future for all”, ku u diskutua rëndësia e lidershipit rinor në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Gjatë ditës, Shala zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me të Dërguarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Rininë, Felipe Paullier, si dhe me Sekretaren e Përgjithshme të Asociacionit Global Rinor për Paqe në SHBA, Olga Majitova. Diskutimet u përqendruan në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave rinore ndërmjet vendeve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe faktit se Kosova, ndonëse nuk është shtet anëtar i OKB-së, po merr pjesë aktive në këtë forum global, duke dëshmuar angazhimin dhe potencialin e të rinjve të saj në skenën ndërkombëtare. Gjatë takimeve, u raportua se i Dërguari Special Felipe Paullier u ftua për një vizitë në Kosovë në të ardhmen e afërt, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit.
Sot, në ditën e tretë të forumit sipas kohës lokale në New York, Ambasadorja Shala pritet të vazhdojë agjendën e takimeve brenda OKB-së, ndërsa pasdite do të marrë pjesë si folëse në panelin “Leaving no one behind – youth driving change for marginalized communities”, ku do të ndajë përvojat dhe zhvillimet nga Kosova në fushën e rinisë dhe përfshirjes sociale.