Ish-trajneri i Barcelonës, Gerard Lopez, ka pranuar se ka përdorur raportet famëkeqe të skautimit të gjyqtarëve, të cilat janë në qendër të skandalit më të madh të korrupsionit në historinë e futbollit spanjoll.
Barcelona akuzohet për korrupsion sportiv pas pagesave prej 7-8 milionë eurosh gjatë një periudhe 17-vjeçare ndaj kompanive të lidhura me ish-nënkryetarin e Komitetit të Gjyqtarëve (CTA), Jose Maria Enriquez Negreira. Klubi katalanas ka mohuar çdo shkelje dhe ka mbrojtur pafajësinë e tij ndaj të gjitha akuzave.
Thelbi i çështjes qëndron në bindjen e prokurorisë spanjolle se raportet dhe shërbimet këshilluese të ofruara nga kompanitë e Negreirës nuk përputheshin me shumën e pagesave të kryera nga Barcelona.
Për më tepër, klubi nuk ka qenë në gjendje të paraqesë dokumentacion për të gjithë periudhën 17-vjeçare, duke argumentuar se raportet shkatërrohen periodikisht çdo pesë vjet.
Gerard Lopez
Gjithashtu, ish-trajnerët Ernesto Valverde dhe Luis Enrique kanë dëshmuar në gjykatë se nuk kanë parë, përdorur apo qenë të informuar për ekzistencën e raporteve mbi gjyqtarët.
Ndryshe nga ta, ish-trajneri i Barcelonës B (Barça Atletic), Gerard Lopez, ka deklaruar se ai i ka përdorur raportet, megjithëse e ka cilësuar përfshirjen e klubit me Negreirën si një “gabim historik”.
“Negreira është një gabim historik për Barçën, por të thuash se janë blerë gjyqtarë. Unë isha te skuadra rezervë dhe kam marrë raporte gjyqtarësh nga djali i Negreirës, të cilat për mua ishin jashtëzakonisht të dobishme”, deklaroi Lopez për Onda Cero.
Ish-presidentët e Barcelonës, Joan Gaspart, Sandro Rosell, Josep Maria Bartomeu, si dhe presidenti aktual Joan Laporta, kanë dëshmuar të gjithë në gjykatë, duke mohuar se klubi ka përfituar ndonjë avantazh sportiv nga marrëdhëniet me Negreirën.
Megjithatë, djali i tij, Javier Enriquez Romero, i cili punonte në kompanitë e të atit duke përgatitur raportet, ka deklaruar se pagesat “nuk ishin vetëm për raportet”, pa sqaruar konkretisht se për çfarë tjetër shërbenin ato./Telegrafi/