Ruben Amorim ishte i përfshirë në një përplasje në fushën stërvitore me një nga lojtarët e tij, vetëm disa javë përpara se të shkarkohej nga Manchester United.
40-vjeçari u largua nga posti i trajnerit të parë të United të hënën në mëngjes, 420 ditë pas emërimit nga klubi, që erdhi pas një periudhe shumë të suksesshme te Sporting, ku fitoi pesë trofe madhorë.
Në tetor, bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe kishte këmbëngulur se nuk do të ndërmerrte një “reagim impulsiv” ndaj Amorim. “Ruben duhet të tregojë se është një trajner i madh gjatë tre viteve”, kishte deklaruar ai.
Por, pasi tensionet mes trajnerit të United dhe drejtorit sportiv të klubit, Jason Wilocx, arritën kulmin në një takim të mbajtur të premten për çështje taktike dhe merkatoje, gjithçka tregonte se fundi ishte i pashmangshëm.
Siç është bërë tashmë e zakonshme pas shkarkimeve të trajnerëve te United, The Athletic ka publikuar një raport të detajuar mbi mënyrën se si epoka e Ruben Amorim në “Old Trafford” përfundoi “mes kaosit dhe toksicitetit”.
Një nga zbulimet më të spikatura të raportit lidhet me Lisandro Martinez, i cili thuhet se u përball drejtpërdrejt me trajnerin gjatë një seance stërvitore në dhjetor.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur rreth ndeshjeve kundër Crystal Palace dhe West Ham, me Martinezin që besonte se ishte gati për të startuar pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak dëmtimi.
Martinez ndjeu se Amorim po e “anashkalonte”, ndaj argjentinasi shprehu pakënaqësinë e tij në një mënyrë intense.
Megjithatë, duket se Amorim reagoi pozitivisht ndaj qasjes së Martinez. Mbrojtësi u aktivizua si zëvendësues ndaj Palace dhe West Ham, ndërsa u hodh titullar në fitoren e United ndaj Neëcastle në “Boxing Day”./Telegrafi/