Tregu i naftës u vu nën presion pasi paralajmërimet e ashpra ngritën shqetësime për ndërprerje të mëtejshme të rrjedhave globale të energjisë, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme u përshkallëzua.
Çmimi i naftës së papërpunuar amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me më shumë se 6%, duke arritur mbi 86 dollarë për fuçi.
Çmimi i naftës së papërpunuar ndërkombëtare Brent u rrit me më shumë se 4%, duke u tregtuar mbi 89 dollarë për fuçi.
Më herët, ministri i energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, paralajmëroi se eksportuesit e Gjirit mund të detyrohen të pezullojnë prodhimin për shkak të luftës dhe se do të duhen “javë deri në muaj” për të rikthyer furnizimet pas sulmit me dron iranian.
Ai paralajmëroi se lufta në Lindjen e Mesme mund të “rrëzojë ekonomitë e botës”, duke parashikuar se të gjithë eksportuesit e energjisë së Gjirit do të ndalonin prodhimin brenda pak ditësh dhe do ta çonin naftën në 150 dollarë për fuçi.
Tregjet u tronditën gjithashtu nga një sulm që detyroi mbylljen e një fushe nafte të drejtuar nga SHBA-të në rajonin autonom të Kurdistanit të Irakut.
Ndërsa tensionet e sigurisë vazhdojnë të rriten në Irakun verior, të premten u raportuan shpërthime pranë aeroportit të Erbilit dhe një sulm detyroi mbylljen e një fushe nafte të operuar nga kompania amerikane HKN Energy.
Kjo ndërprerje ka shtuar frikën e tregut se përshkallëzimi i konfliktit në rajon mund të kërcënojë furnizimet globale me naftë. /Telegrafi/