Në një artikull të gjatë hulumtues të publikuar nga revista zvicerane “Weltwoche”, mësues dhe pedagogë të niveleve të ndryshme arsimore përshkruajnë një gjendje të vështirë të sistemit arsimor në shumë pjesë të Zvicrës.
Sipas dëshmive të tyre, në disa zona sistemi shkollor ndodhet në një “rënie të lirë”, ku shkaku kryesor lidhet me sfidat e mëdha të migracionit, mungesën e theksuar të integrimit, si dhe rolin në rritje të strukturave fetare e familjare – me një fokus të veçantë te komuniteti kosovar dhe ai turk.
Sipas pedagogëve të pyetur nga revista, problemi më i madh në klasa është gjuha gjermane, e cila ka pësuar një rënie drastike të nivelit edhe te gjenerata e tretë e emigrantëve.
Një edukatore kopshti me 44 vite përvojë tregon se fëmijët e prindërve kosovarë e turq – që vetë kanë kryer shkollën në Zvicër dhe e flasin në mënyrë të përsosur gjermanishten – vijnë në kopsht pa ditur asnjë fjalë gjermanisht, pasi prindërit nuk ua mësojnë atë në shtëpi.
Shembujt e sjellë tregojnë se këto familje jetojnë në rrethe të mbyllura ose “klane”, duke refuzuar në mënyrë të heshtur integrimin.
Kjo mangësi gjuhësore shoqërohet edhe me një shkëputje të thellë kulturore. Fëmijët e emigrantëve shpesh nuk e njohin gjeografinë apo traditat bazë të Zvicrës, si malet apo jetën në alpe, ndërsa referencat e tyre të vetme mbeten rrjetet e ushqimit të shpejtë apo qendrat e lojërave.
Mësuesit raportojnë se për shkak të pranisë së madhe të nxënësve myslimanë, zakone të mëparshme si tregimi i historive të Kërshëndellave janë braktisur tërësisht.
Edukatoret e përfshira në artikull kritikojnë ashpër edhe mënyrën e rritjes së fëmijëve nga nënat shqiptare.
Theksohet se nënat i përkëdhelin dhe i mbajnë fëmijët tepër të varur, duke bërë çdo gjë për ta 24 orë në ditë – që nga hapja e çantave të ushqimit e deri te shoqërimi në çdo hap.
Kjo sjellje, sipas pedagogëve, i bën fëmijët të paaftë për jetën dhe të pafuqishëm për t’u bërë të pavarur. Gjithashtu, raportohet për neglizhencë të shëndetit bazë, ku përkujdesja për dhëmbët apo ushqimi i shëndetshëm shpesh mungojnë totalisht.
Mësuesit e cikleve më të larta në Winterthur e Aargau vënë në dukje se nxënësit shqiptarë qëndrojnë vetëm me njëri-tjetrin dhe nuk krijojnë shoqëri me zviceranët jashtë shkollës.
Një faktor kyç mbetet modeli familjar: shumë të rinj kosovarë të rritur në Zvicër vazhdojnë të marrin bashkëshorte nga Kosova që nuk flasin gjermanisht. Për më tepër, nënat punojnë në ambiente ku flitet vetëm gjuha amtare, ndërsa fëmijët rriten nga gjyshet që po ashtu nuk e zotërojnë gjuhën e vendit.
Pedagogët ankohen se prindërit refuzojnë të marrin përgjegjësi për edukimin apo orientimin profesional të fëmijëve të tyre, duke ia lënë të gjithë barrën shkollës dhe duke mos marrë pjesë me muaj në mbledhjet e prindërve.
Për më tepër, djemtë shqiptarë përshkruhen si “shefa” të klasave, ndaj të cilëve nxënësit zviceranë shpesh nënshtrohen ose frikësohen të shprehin aftësitë e tyre.
Një vëmendje e veçantë në shkrimin e “Weltwoche” i kushtohet ndikimit të fesë islame. Në Zvicër sot jetojnë rreth 445’000 myslimanë dhe funksionojnë rreth 260 xhami.
Sipas mësuesve, ndryshe nga dekadat e kaluara, sot thuajse çdo nxënës mysliman agjëron gjatë Ramazanit, ndërsa ditët e premte dhe të shtuna i kalojnë në xhami për të mësuar arabisht dhe për të lexuar Kuran.
Ekspertja e çështjeve të islamit politik, Saïda Keller, deklaron për revistën se xhamitë në Zvicër kanë punuar prej më shumë se tri dekadash kundër integrimit shoqëror, duke u mësuar fëmijëve izolimin nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Përmes kampeve verore e dimërore, xhamitë organizojnë aktivitete që synojnë indoktrinimin fetar dhe krijimin e një ndjesie përjashtuese komunitare, ku fëmijët dërgohen edhe në garat e leximit të Kuranit në Kosovë, Bosnjë apo Turqi. /Telegrafi/
