Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë ka akuzuar qeverisjen komunale të drejtuar nga kryetari Ardian Gjini për, siç ka pretenduar, keqpërdorime dhe përfshirje të personave të lidhur me AAK-në në raste të ndryshme që lidhen me pronën komunale, tenderët dhe administratën.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Qendra e LVV-së në Gjakovë e ka cilësuar komunën si institucion ku, sipas saj, “uzurpatorët dhe grupet kriminale kanë hyrë thellë në sistem”.
LVV-ja ka përmendur ndër të tjera një rast të raportuar më herët, lidhur me pronë komunale, si dhe raste që i ka cilësuar si manipulime të proceseve të prokurimit.
“Rasti i publikuar ditë më parë në mediumin Kallxo, ku në mënyrë të paprecedentë një ish-drejtor komunal i mundësohet marrja e pronës komunale për ndërtim, me lajthitje institucionale herë si objekt afarist e herë si hotelier, pasuar me manipulime tenderësh për lule e tenderë të manipuluar për rrënime objektesh, bashkë dhe me militantë në zyrat e Komunës të zënë me sasi droge sikur të ishin kartele të botës së tretë, janë vetëm maja e ajsbergut të aferave nën qeverisjen e AAK-së”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Partia opozitare ka deklaruar se këto raste dhe të tjera i ka ngritur në Kuvendin Komunal dhe përmes konferencave për media, ndërsa ka thënë se disa lëndë i ka dërguar edhe te organet e sigurisë.
“Ndonëse po e përsërisim se këto raste dhe të tjera i kemi denoncuar në vazhdimësi në Kuvendin Komunal, në konferenca për media, madje kemi dërguar edhe lëndë organeve të sigurisë edhe gjatë mandatit të Ardian Gjinit, për çfarë nuk kemi marrë përgjigje adekuate asnjëherë, konsiderojmë se është momenti i fundit që Prokuroria të vihet në alarm dhe t’i hetojë seriozisht këta individë e zyrtarë të një klike të ngushtë klienteliste, të cilët për vite me radhë shkatërruan Gjakovën dhe të ardhmen e saj”, thuhet më tej në reagim.
AAK: Pretendimet janë shpifje dhe manipulim
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar dega e AAK-së në Gjakovë, e cila i ka cilësuar pretendimet e LVV-së si “shpifje” dhe “manipulime”.
AAK-ja ka thënë se rastet e përmendura nga LVV-ja lidhen me zhvillime të ndodhura vite më parë dhe, sipas saj, jashtë qeverisjes së kryetarit Ardian Gjini.
“Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje të publikuara sot në një postim të tyre në rrjetet sociale janë të bazuara në zhvillime të ndodhura shumë vite më parë, jashtë qeverisjes së kryetarit Ardian Gjini. Përpjekja e tyre për t’i paraqitur si skandale aktuale është një manipulim i qëllimshëm dhe një tentativë për të ndërtuar narrativa goditëse mbi shpifje dhe sajesa të fabrikuara”, thuhet në reagimin e AAK-së.
AAK-ja ka mbrojtur punën e Komunës së Gjakovës, duke deklaruar se institucioni funksionon mbi bazën e transparencës dhe ligjshmërisë.
“Komuna e Gjakovës funksionon mbi bazën e transparencës dhe ligjshmërisë. Kjo është dëshmuar gjatë këtyre viteve, duke u shpallur shumë herë komuna më transparente nga instanca të ndryshme monitoruese”, ka deklaruar AAK-ja.
Sipas kësaj partie, proceset tenderuese dhe dhënia e lejeve të ndërtimit kalojnë nëpër kontrolle institucionale, ndërsa çdo keqpërdorim i mundshëm, sipas saj, trajtohet në përputhje me vendimet e institucioneve të drejtësisë.
“Ne e dënojmë fuqishëm çdo veprim joligjor të kujtdo qoftë dhe ndërmarrim masa pas vendimeve të institucioneve të drejtësisë”, thuhet në reagim.
AAK-ja ka kritikuar gjithashtu gjuhën e përdorur nga LVV-ja ndaj kryetarit Gjini, duke e cilësuar qasjen e saj si “banditeske dhe obsesive”.
“Frika juaj nga Ardian Gjini ju është shndërruar në obsesion dhe e keni të pamundur të mos merreni me të të paktën një herë në ditë”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Përplasja mes dy subjekteve politike vjen pas akuzave të LVV-së për raste që lidhen me administrimin komunal, ndërsa AAK-ja ka mohuar se këto raste përbëjnë përgjegjësi të qeverisjes aktuale dhe ka thënë se do të vazhdojë punën në bazë të “transparencës, ligjshmërisë dhe përgjegjësisë”. /Telegrafi/
