Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Tetovës, Billal Kasami, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkomunal dhe konkretizimi i projekteve të përbashkëta zhvillimore.
“Sot pata një takim shumë miqësor me kryetarin e Tetovës, Billal Kasami. Folëm për tema me rëndësi të veçantë për mua: bashkëpunimin real mes komunave tona. Sepse kur ndajmë përvoja dhe punojmë së bashku, mund të bëjmë më shumë për qytetarët tanë,” tha Qyra.
Sipas tij, në takim u diskutua për projekte konkrete në fushën e ekonomisë, turizmit dhe infrastrukturës, të cilat mund të hapin perspektiva të reja zhvillimi për Strugën dhe Tetovën.
“Struga do të jetë gjithmonë e hapur për partneritete që sjellin zhvillim dhe mundësi të reja për të gjithë,” theksoi ai, duke nënvizuar gatishmërinë për bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë mes dy komunave.