Gjetjet e studimit mund t’i ndihmojnë ekspertët të zhvillojnë materiale ndërtimore më të qëndrueshme dhe më rezistente
Ndërtesat, rrugët dhe ujësjellësit e Romës së lashtë kanë mbijetuar për afro dy mijë vjet, ndërsa betoni modern zakonisht ka një jetëgjatësi prej rreth 100 vjetësh.
Shkencëtarët prej kohësh përpiqen ta zbulojnë sekretin e qëndrueshmërisë së betonit romak. Për një kohë të gjatë është menduar se ai i reziston kohës falë reaktivitetit pucolanik, një proces kimik që ndodh kur hiri vullkanik reagon me gëlqeren dhe ujin.
Megjithatë, autorët e një studimi të publikuar në revistën shkencore Science Advances sugjerojnë se rol të rëndësishëm luan edhe karbonizimi, një reaksion kimik që zhvillohet ngadalë gjatë një periudhe shumë të gjatë.
Rezultatet mund t’i ndihmojnë studiuesit të krijojnë beton më jetëgjatë, më rezistent dhe me ndikim më të vogël në mjedis.
Analiza e një mostre të lashtë
Hulumtimi u krye në Vilën e Hadrianit, një kompleks rreth 1.900-vjeçar që ndodhet afro 27 kilometra në lindje të Romës.
Kjo pronë e gjerë, e konsideruar një mrekulli arkitekturore, u ofroi shkencëtarëve mundësinë ta studionin betonin romak pothuajse në gjendjen e tij origjinale.
Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley morën një mostër betoni nga një pjesë e strukturës nën një tualet në vilë. Mostra u ekzaminua me mikroskop të fuqishëm, u skanua me rreze X dhe iu analizua përbërja kimike, transmeton Telegrafi.
Përbërësi që e lidh dhe e forcon betonin
Siç pritej, studiuesit konstatuan se hiri vullkanik, gëlqerja dhe uji ishin përzier për të krijuar materialin ndërtimor.
Por analiza e hollësishme e poreve dhe çarjeve tregoi se përbërësi kryesor lidhës ishte kalciti.
Kalciti formohet kur dioksidi i karbonit nga atmosfera reagon me përbërjet e kalciumit në beton. Ky mineral mbush çarjet dhe poret e vogla, duke bërë që strukturat e lashta të forcohen dhe, në njëfarë mënyre, të “shërohen” me kalimin e kohës.
Studimi i ri mbështetet edhe në një hulumtim të vitit 2023, sipas të cilit betoni romak mund t’i riparonte vetë çarjet falë reaksioneve kimike që përfshinin gëlqeren e pashuar.
Grimcat e gëlqeres mund të reagonin me ujin dhe të rikristalizoheshin, duke mbushur boshllëqet e krijuara në material.
Drejt një materiali më jetëgjatë
Autorët shpresojnë se kuptimi më i mirë i mënyrës se si funksionon betoni romak do t’i ndihmojë ekspertët të prodhojnë materiale ndërtimore me ndikim më të vogël në mjedis.
Prodhimi i betonit çliron sasi të mëdha të dioksidit të karbonit dhe përbën rreth tetë për qind të emetimeve globale.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gjysma e ndërtesave që pritet të ekzistojnë deri në vitin 2050 ende nuk janë ndërtuar. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimi i materialeve më të qëndrueshme dhe me gjurmë më të ulët karboni po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. /Telegrafi/
