52 persona janë shoqëruar në polici pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së opozitës e cila është mbajtur të premten para Kryeministrisë.
Mësohet se 17 prej tyre janë arrestuar, ndërkaq 35 të tjerë janë lënë të lirë ndërsa janë nën hetim, raporton euronews.al
Euronews Albania mbrëmjen e së premtes ka ndarë pamje nga Komisariati i Policisë Nr. 1 ku të pranishëm ishin deputetë të PD-së të cilët theksuan se janë shoqëruar mbi 30 protestues.
Të shoqëruarit dyshohet se kanë sulmuar me fishekzjarrë dhe molotov efektivët dhe godinat e institucioneve.
Sipas pretendimeve nga Partia Demokratike, 1 prej protestuesve që ndodhet në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është dhunuar nga efektivë të policisë dhe është refuzuar të dërgohej në spital për ndihmë mjekësore.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se pas protestës po ashtu janë shoqëruar tre të mitur dhe një person me aftësi të kufizuara.