Kryeqyteti i Kosovës ka inauguruar “Deep Space 8K”, një hapësirë inovative që sjell për herë të parë në Prishtinë një përvojë të avancuar teknologjike dhe kreative. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Ramës, “Deep Space 8K” përfaqëson një dimension të ri për kryeqytetin, jo vetëm si platformë për të parë të ardhmen, por si hapësirë ku ajo përjetohet, krijohet dhe ndërtohet në të tashmen. Ai theksoi se kjo nismë dëshmon ambicien e Prishtinës për të mos ndjekur trendet globale, por për t’i krijuar ato.
Kjo hapësirë synon ta shndërrojë dijen në përvojë konkrete, duke e afruar teknologjinë me njerëzit dhe duke u dhënë formë reale ideve dhe imagjinatës. “Deep Space 8K” pritet të shërbejë si ambient frymëzues për të rinjtë, krijuesit dhe inovatorët, duke nxitur zhvillimin e ideve që e pozicionojnë Prishtinën përtej kufijve tradicionalë.
Realizimi i këtij projekti është bërë i mundur përmes bashkëpunimit me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe organizatën ndërkombëtare Ars Electronica.
Kryetari Rama theksoi se ky partneritet është dëshmi e përkushtimit për ta zhvilluar kryeqytetin përmes dijes, teknologjisë dhe krijimtarisë. /Telegrafi/