Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të premten në ora 02:00 është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës, duke shënuar kështu përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka marr 51.11 për qind të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK 20.19 për qind dhe do të ketë 22 ulëse, LDK 13.23 për qind (15 ulëse) dhe AAK 5.5 për qind (6 ulëse).
Partitë minoritare i kanë 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/