Komisioni Disiplinor dhe Etikës i shkallës së parë në përbërje; Metë Çeku –kryetar, Avni Shala dhe Donat Lushaku – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 06.03.2026 shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave pas përfundimit të ndeshjeve të xhiros së 22-të të Albi Mall Superligës, ndeshjeve të xhiros së 22-të të Raiffeisen Ligës së Parë, si dhe Ligave të rangjeve tjera, edicioni 2025/2026.
Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve, incizimeve televizive dhe duke ju referuar nenit 33 paragrafi 1 pika 1 të Rregullores disiplinore mori disa vendime të rëndësishme.
Njëri nga më kryesorët është ai dënimit të Prishtinës me dy ndeshje pa shikues si vendas dhe 2000 euro gjobë shkaku i lëshimeve në organizimin e ndeshjes me Dritën.
“FC “Prishtina”. Lëshim në organizimin e ndeshjes. Pas përfundimit të ndeshjes tifozët vendas ”Plisat”, kaluan rrethojat dhe hyn në fushë duke u vërsulur në drejtim të tifozëve mysafirë të cilët ishin të vendosur në tribunën e kundërt veriore me tendencë të përleshjes me ta, pas ndërhyrjes së Policisë u evitua më e keqja”.
“Sipas raportit të delegatit të ndeshjes dhe xhirimit televiziv të ndeshjes Prishtina-Drita. Bazuar në nenin 18 paragrafi 1 dhe neni 36 paragrafi 1 pika A i Rregullores displinore; DËNOHET me 2 ndeshje kampionale si vendas pa shikues”.
“II.Bazuar në nenin 6 paragrafi 1 pika C si dhe neni18 paragrafi 2 pika B dhe C të Rregullores disiplinore; Dënohet me shumë prej 2000 euro. Afati i pagesës është 15 ditë kur vendimi bëhet i plotfuqishëm”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor dhe Etikës pranë FFK-së. /Telegrafi/