Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot në një konferencë për media bëri të ditur se ka nxjerr dekretin që Kuvendi i Kosovës të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Osmani tha se mosnxjerrja e këtij dekreti do ta vendoste atë në shkelje të qartë të Kushtetutës së Kosovës dhe këtë siç tha ajo nuk e ka ndërmend të bëj.
E para e shtetit pati edhe një thirrje për Gjykatën Kushtetuese.
“Në fund i bëj thirrje Gjykatës Kushtetueses që ta trajtojë çdo çështje që ka të bëjë, që mund të paraqitet në të ardhmen rreth kësaj teme me urgjencë, duke e ditur se sa janë të rëndësishme qartësitë kushtetuese, duke mos lejuar assesi që qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment të mos lejojnë asnjë presion i cili do të mund të ndryshonte interpretimin vetëm e vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Si presidente e Republikës së Kosovës, si në të kaluarën, në asnjë moment as nuk kam ndërhyrë, as nuk do të ndërhyjë dhe do ta mbrojë çdo institucion të pavarur nga ndërhyrjet që mund të tentohen për të ndryshuar një vendim që interpreton Kushtetutën e Kosovës.
Pra, siç e thash edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Kushtetuese unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, të këtij dekreti.
Mos nxjerrja e këtij dekreti mua do të më vendoste në shkelje të qartë të Kushtetutës së Kosovës dhe këtë nuk e kam ndërmend të bëj”, tha ajo. /Telegrafi/