“Jeta dhe vdekja shpesh ndahen nga një fije shumë e hollë”, kështu e përshkruan realitetin e përditshëm drejtori i Klinikës së Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i cili flet për sfidat, emocionet dhe barrën e madhe profesionale që mbajnë mjekët e emergjencës.
Syla i ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka thënë se çdo rast që referohet apo që vjen për trajtim në spital, e sidomos në emergjencë, është një rast që kërkon kujdes akut dhe reagim të menjëhershëm.
– YouTube www.youtube.com
Megjithatë, siç tha ai Klinika e Emergjencës përballet vazhdimisht me mbingarkesë.
“Për fat të keq, përveç rasteve që realisht kërkojnë tretman akut, kemi edhe shumë raste që nuk janë emergjente, gjë që na vështirëson punën dhe krijon vonesa”, thekson ai.
Ai ndalet edhe te perceptimi publik, ku shpesh në media raportohet se “dikush vdiq në spital” apo “vdiq në emergjencë”, duke u krijuar, siç thotë ai një lloj “kronike e zezë”.
“Duhet ta kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme: asnjë njeri i shëndoshë nuk vjen në spital. Në emergjencë vijnë pacientë me trauma të rënda, në gjendje kritike. Asnjë mjek, pavarësisht specializimit, nuk mund të luajë rolin e Zotit. Roli ynë primar është të ndihmojmë, të luftojmë me të gjitha mjetet për ta shpëtuar jetën e pacientit”, shprehet Syla.
Ai flet edhe për ndjenjat që përjeton një mjek emergjence. Sipas tij, ka dy anë të forta emocionale: suksesi dhe humbja.
“Kur arrin ta shpëtosh një pacient, ajo ndjenjë është e papërshkrueshme. Është një kënaqësi shpirtërore, një ndjenjë madhështore. Por rastet që përfundojnë me vdekje janë jashtëzakonisht të rënda emocionalisht, sidomos kur bëhet fjalë për të rinj, aksidente trafiku apo lëndime në punë. Aty ndjen një zhgënjim të thellë, sepse ke dhënë maksimumin dhe sërish nuk ke arritur ta nxjerrësh pacientin nga gjendja kritike”, thotë ai.
Edhe pse ka mbi 30 vjet përvojë në mjekësinë emergjente, Syla pranon se ka raste që e tronditin thellë.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/