Një tjetër talent nga Kosova, Erblin Osmani është duke fituar vëmendje të madhe në Gjermani, ku po vlerësohet si një nga talentët më të mirë të Bayern Munichut.
Osmani që me prejardhje është nga Gjilani falë paraqitjeve të shkëlqyeshme në grupmoshat e të rinjve ka marrë ftesë për t’u stërvitur -me ekipin e parë të Bayernit pavarësisht moshës së re vetëm 17-vjeç, ndërsa po krahasohet me Joshua Kimmich shkaku i stilit të lojës.
17-vjeçari vlerësohet lartë në Gjermani për pasimet e gjata, goditjet e fuqishme nga distanca, shembulli më konkret ai supergoli ndaj St.Paul, ku shënoi nga gjysma e fushës.
Përndryshe, lëvdata të mëdha po merr edhe për goditjet e sakta nga gjuajtjet e lira.
Pavarësisht që luan në pozitën e numrit 6, pra mesfushor defansiv – Osmani e ka dëshmuar kualitetin si një golashënues pasi në edicionin 2025-26 ka arritur të shënojë dy gola dhe të dhurojë pesë asistime në 13 paraqitje, këtu përfshihen ndeshjet e zhvilluara në grupmoshat U17 dhe U19 të Bayernit.
Përpos shkëlqimi tek të rinjtë e Bayernit, ai edhe ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmoshat U16 dhe U17, ku në nëntë paraqitje ka realizuar një gol.
Osmani tani do të tentojë të vazhdojë me këtë formë të lartë, me synimin e vetëm që brenda një periudhë të shkurtër të jetë opsion i mundshëm edhe për trajnerin Vincente Kompany te Bayern Munichu./Telegrafi/