75 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ku shprehin shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e administratës për të pezulluar vizat e emigracionit për 75 shtete, mes të cilave edhe Kosova e Shqipëria.
Në letrën drejtuar Rubio, kongresmenët e cilësuan vendimin si “skandaloz dhe diskriminues”, duke theksuar se ai prek rreth 40% të vendeve të botës dhe mund të ndikojë te pothuajse gjysma e emigrantëve të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tyre, pezullimi do të godasë drejtpërdrejt ribashkimin familjar, vizat e sponsorizuara nga punëdhënësit, programin e diversitetit, organizatat fetare dhe bizneset e vogla.
“Ky është një vendim skandaloz dhe diskriminues i administratës suaj, që prek qindra mijëra njerëz çdo vit.
Ai u njoftua jo vetëm përmes një postimi në Twitter, por pa ofruar asnjë informacion të detajuar mbi pezullimin,” thuhet në letrën e kongresmenëve.
Ata paralajmëruan se politika e pezullimit të vizave do të ndajë familje, do të pengojë integrimin e emigrantëve të ligjshëm dhe do të ketë pasoja negative sociale dhe ekonomike për zgjedhësit amerikanë.
Lista e vendeve të prekura përfshin një gamë të gjerë shtetesh nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Armeninë, Azerbajxhanin, Irakun, Iranin, Brazilin, Kubën dhe shumë të tjera.
Kongresmenët kërkojnë që administrata amerikane të rishikojë vendimin dhe të marrë masa për të mos ndarë familje dhe për të ruajtur mundësitë e ligjshme të emigrantëve për të jetuar dhe punuar në SHBA.
Vendimi i Sekretarit Rubio ka shkaktuar tashmë reagime të shumta në komunitetet ndërkombëtare dhe në diasporën shqiptare, të cilët paralajmërojnë se pezullimi i vizave do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi ribashkimin familjar dhe aktivitetin ekonomik të emigrantëve./Telegrafi.