Franca e ka mbyllur pjesën e parë të ndeshjes së 1/16 së finales ndaj Suedisë me epërsi minimale 1-0, falë një goli të shkëlqyer të Kylian Mbappe pak para pushimit.
Takimi nisi me një ritëm të lartë, me “Gjelat” që menjëherë morën kontrollin e lojës dhe krijuan disa raste të pastra shënimi.
Rasti i parë serioz erdhi nga Bradley Barcola, i cili depërtoi bukur në zonë, por goditja e tij kaloi mbi portë në minutën e 19-të.
Vetëm një minutë më vonë, Mbappe mendoi se kishte kaluar Francën në epërsi, por goli i tij u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje në minutën e 20-të.
Presioni i francezëve vazhdoi, me Adrien Rabiot që provoi nga distanca në minutën e 33-të, por goditja e tij kaloi pak mbi traversë.
Më pas, Michael Olise ishte shumë pranë golit në minutën e 36-të, kur tentativa e tij u ndal nga shtylla, ndërsa në vazhdim Ousmane Dembele nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë në vazhdim të aksionit.
Në minutën e 32-të, Mbappe goditi edhe shtyllën, duke treguar dominimin e plotë të sulmit francez, por pa fat në finalizim.
Portieri suedez Jacob Widell Zetterstrom ishte një nga më të dalluarit në fushë, duke bërë disa pritje vendimtare, përfshirë një super intervenim ndaj Rabiot në minutën e 30-të dhe një tjetër ndaj Olise në minutën e 45-të, pas së cilës Franca fitoi edhe një goditje nga këndi.
Megjithatë, në minutën e 45-të, Mbappe më në fund e gjeti rrugën e rrjetës me një gol të bukur, duke e dërguar Francën në pushim me epërsi 1-0./Telegrafi/
