Komuna e Obiliqit ka organizuar sot shpërndarjen e dhuratave për fëmijët me nevoja të veçanta në degën lokale të Shoqatës Handikos, me rastin e festave të fundvitit.
Në aktivitet morën pjesë Nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albertina Dedinca, përfaqësuesi i Shoqatës Handikos, Eljesa Terbunja, si dhe përfaqësuesi i ProCredit Bank, Bashkim Pllana.
Sipas komunës, kjo nismë synon të shprehë mbështetjen institucionale për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, shoqërisë civile dhe sektorit privat, në frymën e solidaritetit dhe kujdesit social.
Nga Komuna e Obiliqit u theksua se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim përmirësimin e mirëqenies sociale dhe përkrahjen e kategorive më të ndjeshme të shoqërisë. /Telegrafi/