Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, David Amaglobeli, prezantuan konkluzionet e Misionit të rishikimit sipas Nenit IV, i zhvilluar në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt 2026.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili falënderoi FMN-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen profesionale, duke theksuar se diskutimet gjatë Misionit janë fokusuar në zhvillimet makroekonomike dhe financiare, perspektivën ekonomike dhe prioritetet e politikave në sektorin financiar.
“Duke folur për reformat, Guvernatori Ismaili informoi se BQK ka bërë progres të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Nenit IV. Në fushën e mbikëqyrjes bankare është finalizuar drafti i parë i Manualit të SREP-it dhe janë zhvilluar instrumente të avancuara për vlerësimin e rreziqeve dhe automatizimin e proceseve mbikëqyrëse. Ai po ashtu theksoi se miratimi dhe publikimi i Ligjit të ri për Bankat përbën një reformë madhore, e cila forcon qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim ky Ligj është zhvilluar me mbështetjen e FMN-së në kuadër të konsultimeve të Nenit IV, Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF), të përfunduara me sukses vitin e kaluar.
“Në aspekt të stabilitetit financiar dhe në fushën e menaxhimit të krizave, po finalizohet korniza e rishikuar për Mbështetjen e Likuiditetit Emergjent, ndërsa Ligji i ri për Sigurimin e Depozitave pritet të avancojë me mbështetjen e Bankës Botërore. Gjithashtu, po forcohet korniza makroprudenciale dhe kapacitetet analitike përmes zhvillimit të modeleve të reja makroekonomike dhe projekteve shumëvjeçare të asistencës teknike me FMN-në. Në aspektin e qeverisjes dhe transparencës, shumica e rekomandimeve të Vlerësimit të Masave Mbrojtëse (Safeguards Assessment) janë zbatuar, ndërsa raporti i vlerësimit sipas Kodit të Transparencës së Bankave Qendrore (CBT) së FMN-së është në fazë përfundimtare, me vlerësime të larta për BQK-në”.
Ndërsa, sa i përket sistemit të pagesave, në njoftim thuhet se BQK ka harmonizuar kornizën rregullative me legjislacionin e BE-së dhe ka dorëzuar para-aplikimin në DG FISMA.
“Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe ai për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit do të riiniciohen për miratim në Kuvend, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Paralelisht, po zhvillohet sistemi i pagesave të menjëhershme (TIPS Clone), si pjesë e modernizimit të infrastrukturës së pagesave. Guvernatori Ismaili informoi gjithashtu për progresin në rregullimin e kripto-aseteve, përfshirë miratimin e Rregullores për Licencimin e Ofruesve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve dhe përcaktimin e afatit 1 mars 2026 për aplikim nga ofruesit ekzistues dhe potencialë dhe përshtatje me rregullativen në fuqi”.
Në përmbyllje, Guvernatori i BQK-së theksoi se progresi i arritur në stabilitetin financiar, mbikëqyrjen, sistemin e pagesave, qeverisjen, integritetin financiar dhe harmonizimin me standardet e BE-së dëshmon përkushtimin e BQK-së për ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, transparent dhe modern, në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe prosperitetit të vendit. /Telegrafi/