Trajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu, ka dhënë një intervistë për Telegrafin, ku flet për startin e jashtëzakonshëm të ekipit, objektivat aktuale, rivalët kryesorë dhe lojtarët që po spikasin këtë sezon.
Pas tri fitoreve radhazi ndaj Lirisë, Trepçës dhe Tefik Çanga, Trepça ’89 ndodhet në vendin e parë në Ligën e Parë, dhe trajneri ndan për Telegrafin se çelësi i këtij suksesi ka qenë vazhdimësia.
“Mendoj që çelësi ka qenë vazhdimësia. Kjo tash është pjesa e dytë e kampionatit dhe normal që një vazhdimësi e mirë ka dhënë rezultate. Kemi pasur histori shumë të pasur, por ky start me tri derbi radhazi ka qenë vërtet i suksesshëm dhe na ka dhënë shumë besim”, ka thënë fillimisht Sejdiu për Telegrafin.
Trajneri sqaroi se megjithëse Trepça ’89 ka një histori të pasur dhe është fitues i Kupës dhe kampion i Kosovës, prioriteti kryesor fillestar nuk ka qenë titulli, por zhvillimi i lojtarëve të rinj dhe krijimi i një identiteti loje të qëndrueshëm.
“Ne nuk kemi hyrë me ambicie për titull, por kur arritëm marrëveshjen, fokusimi ka qenë zhvillimi i lojtarëve të rinj. Kjo është politika kryesore e klubit, të zhvillojmë lojtarët dhe t’i shesim ata në tregun e jashtëm. Gjatë këtij gjysmë sezoni, ekipi ka filluar të krijojë identitetin e vet, një lojë aktive dhe filozofi të qartë, pavarësisht mungesës së emrave të mëdhenj”.
Trajneri thekson se objektivi kryesor mbetet konsolidimi dhe futja e ekipit në Superligë, duke pasur parasysh edhe pozicionin aktual të tabelës.
“Prioriteti numër një është futja në Superligë. Rezultatet tona na obligojnë për ta ndjekur këtë rrugë deri në fund. Do të jetë shumë e vështirë, sepse kemi edhe 13 xhiro dhe gjashtë ekipe me potencial të madh dhe lojtarë cilësorë. Por ekipi që është më i fortë psikologjikisht mund ta çojë deri në fund këtë objektiv”, shtoi mitrovicasi.
Trajneri ndan edhe emocionet personale pas këtij fillimi të suksesshëm.
“Karriera ime 25-vjeçare më ka dhuruar shumë trofe dhe emocione. Së fundmi, këto emocione më kanë munguar pak, por tani është një lloj rilindjeje për mua, duke përjetuar përsëri kënaqësinë e futbollit, sukseset dhe emocionet që vetëm ky sport mund t’i sjellë. Jam shumë i lumtur që i kam rikthyer këto momente”.
Ai theksoi rëndësinë e stafit dhe mbështetjes së kryesisë së klubit.
“Kam një staf të mrekullueshëm, Enis Manxhollin dhe Diar Mustafën, të cilët kryejnë shumicën e punës. Kryesia e klubit na ka krijuar një mjedis shumë të shëndoshë dhe të mirë, gjë që më lehtëson punën dhe më bën të shijoj këto momente”.
Sa i përket rivalëve, trajneri përmendi disa ekipe që mund të sfidojnë Trepçën ’89 deri në fund të kampionatit.
“Të gjitha ekipet kanë mundësi dhe potencial. Tash jemi në vendin e parë, por pozicionet mund të ndryshojnë deri në fund. Rivalët kryesorë janë Vushtrria, Dinamo, Ferronikeli, Liria dhe Vëllaznimi. Secili ekip ka lojtarë të cilësuar dhe detaje që mund t’i menaxhojnë më mirë. Do të jetë një luftë e fortë deri në xhiron e fundit.”
Trajneri përmendi lojtarët që kanë dhënë kontribut të madh dhe të rinjtë me perspektivë të madhe.
“Nga lojtarët që kemi marrë, Egzon Qerimi ka treguar shumë cilësi dhe ka përvojë të madhe. Adem Maliqi ka qenë thelbësor, ndërsa Milazim Bajraktari dhe Art Hasani janë shtylla e ekipit dhe lojtarë të jashtëzakonshëm. Nga të rinjtë, Erion Brahimi, Andi Mehmeti dhe Ensar Beqiri janë e ardhmja e klubit dhe po dëshmojnë tashmë në këtë kampionat. Këta lojtarë 19-20-vjeçarë kanë potencial të madh dhe po zhvillohen shumë shpejt”, përfundoi trajneri i Trepçës ‘89.
Ndryshe, pas 21 xhirove të luajtura deri tani, Trepça ’89 renditet e para me 45 pikë, ndërsa pas saj në vendin e dytë është Vushtrria me 44 pikë.
Në vendin e tretë ndodhet Dinamo, gjithashtu me 44 pikë, ndërsa Feronikeli mban vendin e katërt me 43 pikë, kurse Liria në vendin e pestë me 42 pikë. /Telegrafi/