Bruno Fernandes ka treguar gjithmonë një përkushtim të padiskutueshëm ndaj Manchester United, duke u shndërruar edhe në një nga liderët dhe kapitenët e skuadrës.
Megjithatë, largimi i papritur i bashkëkombësit të tij Ruben Amorim mund ta ketë shtyrë mesfushorin portugez të reflektojë seriozisht mbi të ardhmen e tij në “Old Trafford”, sipas raportimeve nga Anglia.
E ardhmja e Bruno Fernandes ka qenë një nga temat më të diskutuara muajt e fundit, veçanërisht pasi u bë e ditur se Manchester United kishte qenë i gatshëm ta shiste atë gjatë afatit të fundit kalimtar. Vetë lojtari refuzoi çdo mundësi largimi, i bindur për të qëndruar besnik ndaj objektivave që i kishte vendosur vetes kur iu bashkua klubit.
Bruno kishte premtuar se do t’i udhëhiqte “Djajtë e Kuq” drejt rikthimit të lavdisë dhe drejt një pranie të rregullt në Ligën e Kampionëve. Deri tani, ky objektiv nuk është realizuar, ndërsa ndryshimet në stolin e trajnerëve kanë vazhduar. Viktima e radhës ka qenë pikërisht Ruben Amorim, me të cilin Bruno kishte një marrëdhënie shumë të afërt, thuajse më shumë personale sesa profesionale. Portugezi nuk e ka fshehur pakënaqësinë për shkarkimin e tij.
Madje, në orët pas largimit të Amorim, Bruno Fernandes u pa duke dalë nga një hotel në shoqërinë e asistentit të tij, çka ndezi menjëherë spekulimet për një transferim të mundshëm.
Arabia Saudite ka tentuar prej vitesh ta bindë mesfushorin portugez, por ai ka refuzuar çdo ofertë për shkak të dashurisë për Manchester United. Megjithatë, mënyra se si u trajtua Amorim mund ta ketë lëkundur këtë qëndrim.
Nga ana e klubit, situata mbetet e pandryshuar. Nëse drejtuesit ishin të gatshëm ta shisnin Brunon verën e kaluar, nuk ka arsye të besohet se strategjia ka ndryshuar.
Një ofertë e madhe financiare për një lojtar mbi të 30-at, i cili ndoshta ka kaluar kulmin e formës së tij, shihet si një mundësi që klubi mund të mos e shpërfillë. /Telegrafi/