Finalistët e edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova janë bërë gati për natën më të rëndësishme të këtij rrugëtimi mbi 100-ditor, duke u shfaqur në super formë dhe me paraqitje që kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut.
Hygerta Sako, Londrim Mekaj, Elijona Binakaj, Klodian Mihaj dhe Ludo Lee kanë zgjedhur veshje tejet të veçanta për finalen, duke reflektuar stilin dhe personalitetin e secilit prej tyre. Eleganca, detajet e kuruara dhe kombinimet e guximshme kanë dominuar në paraqitjet e pesëshes, që sonte garon për çmimin e madh.
Pak para nisjes së spektaklit live, finalistët realizuan edhe një sfilatë brenda shtëpisë, duke parakaluar me vetëbesim dhe buzëqeshje, si një parapërgatitje për daljen e tyre të fundit në skenën madhështore të finales. Momentet e sfilatës u shoqëruan me duartrokitje dhe emocione, ndërsa secili prej tyre u përpoq të shijonte çdo sekondë të mbetur në shtëpinë më të famshme në vend.
Tashmë gjithçka është gati për nisjen e spektaklit final, ku njëri prej tyre do të kurorëzohet si fituesi i madh i Big Brother VIP Kosova 4, duke mbyllur kështu një kapitull të paharrueshëm në jetën e tyre dhe në historinë e këtij formati. /Telegrafi/