Drejtori i Mercedesit, Ola Kallenius, ka nisur një sulm të ashpër ndaj rregulloreve klimatike të Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve të BE-së.
Rregullat e zbutura për emetimet nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar industrinë automobilistike. Ai paralajmëron se industria evropiane e automobilave rrezikon të shkatërrohet nga gjoba që mund të arrijnë miliarda euro, nëse rregulloret nuk ndryshohen menjëherë.
Me gjithë investimet e mëdha në automjete elektrike, shitjet nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur objektivat e ashpra të BE-së për emetimet. Për të shmangur gjobat miliardëshe që mund ta paralizojnë industrinë, shitjet e makinave elektrike duhet të trefishohen brenda katër viteve.
Gjatë një takimi në Bruksel të enjten, ACEA (Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave) dhe kryetari i saj (dhe i Mercedes), Ola Kallenius, kërkuan nga politikanët e BE-së që të veprojnë për të shpëtuar industrinë më të rëndësishme në kontinent.
“Evropa rrezikon të humbasë avantazhin si një vend atraktiv për investime dhe si një lokacion industrial”, tha ai.
Situata me automjetet e tipit furgon është veçanërisht kritike. Shitjet e furgonëve elektrikë kanë mbetur pak mbi 10 për qind, gjë që e bën të pamundur arritjen e objektivit aktual për uljen e CO2-së me 35 për qind deri në vitin 2030.
Kallenius thekson se industria automobilistike dëshiron të kalojë te automjetet elektrike. Aktualisht në treg ka më shumë se 300 modele makinash elektrike, por politika duhet të mbështesë kërkesën e konsumatorëve, në vend që vetëm të kërcënojë me sanksione.
Nëse BE-ja nuk merr masa, ekziston rreziku i rritjes së mëtejshme të çmimeve të makinave, gjë që zvogëlon tregun dhe rrezikon 13,6 milionë vende pune të lidhura me sektorin automobilistik në Evropë. /Telegrafi/