Të shtunën, më 25 prill, banorët e Pejës, Plavës dhe Gucisë do të protestojnë në mënyrë paqësore me qëllim hapjen e pikës kufitare në Çakorr dhe funksionalizimin e rrugës.
Nga Komuna e Pejës kanë deklaruar për Telegrafin se kjo rrugë është regjionale dhe nuk është nën kontrollin e tyre administrativ, ndërsa kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që ta funksionalizojë atë.
Sipas tyre, nga autoritetet e Malit të Zi kanë pranuar vullnet të mirë për hapjen e kësaj pike kufitare, por kanë theksuar se çështja mbetet kryesisht peng i vendimeve politike vendore nga institucionet qendrore.
Veton Mujaj nga “Syri i Vizionit”
Veton Mujaj nga “Syri i Vizionit”, thekson se çështja e hapjes së kësaj pike kufitare është ngritur vazhdimisht që nga paslufta, por pa rezultate konkrete deri më tani. Ai rikujton se premtimet kanë qenë të vazhdueshme nga qeveritë ndër vite.
“Prej mbas luftës, ka qenë si një lloj kërkese e vazhdueshme, qeveri pas qeverie ka pas edhe premtime që kjo pikë kufitare do të duhej të hapej”, tha ai.
Mujaj vlerëson se hapja e pikës kufitare në Çakorr do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe sidomos në turizëm, duke lehtësuar qarkullimin e banorëve dhe vizitorëve nga të dy anët e kufirit.
“Normal se çdo hapje e pikës kufitare shërben shumë, sidomos për banorë të dy anëve të kufijve, varësisht të cilit shtet janë. Në këtë rast, pjesa me Çakorrin është me të vërtetë jashtëzakonisht e rëndësishme për shkak, më së shumti zhvillimit të turizmit që po bëhet tash, për shkak të kësaj rruge kryesisht po bëhet me këmbë dhe me tenda prej turistëve edhe nga jashtë Kosova, po në hapjen e saj sigurisht se do krijohet një fluks tjetër të qarkullimit të njerëzve”.
Ai shton se kjo zonë përbën një trekëndësh të rëndësishëm mes Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, por sipas tij, Rugova ka mbetur e nënzhvilluar për shkak të mungesës së investimeve dhe qartësisë institucionale.
“Nga zona bregdetare e Malit të Zi, por edhe pjesës së Shqipërisë, për shkak se lindin shumë elemente, është një trekëndësh, shumë i rëndësishëm për të qenë i hapur. Mirëpo fatkeqësisht domethënë zona e Rugovës ka mbet shumë keq dhe është trajtu shumë keq nga të gjitha qeveritë edhe deri më tani sepse edhe krijimi i Parkut Nacional, mosmirëmbajtja, mosditja e kompetencave, kush për çka ka, cila është rruga nacionale, cilat janë përgjegjësitë e komunës, ka lënë banorët edhe pa mundësi zhvillimit në një aspekt, po njëkohësisht edhe pa kriju një bazë të mirë për pritjen e turistëve në këtë zonë, që do të mund të ishte dhe do të jetë, mendoj, një prej të hyrave të rëndësishme të shtetit të Kosovës në zhvillimin e turizmit”.
Duke folur për sfidat historike, Mujaj përmend edhe arsyet që sipas tij kanë ndikuar në mosfunksionalizimin e rrugës pas luftës, përfshirë çështjet e sigurisë dhe raportet ndërkufitare.
“Kjo rrugë, më duket që më është thënë që ka qenë edhe një problem menjëherë pas luftës, për shkak se një pjesë e komunitetit serb që janë largu nga Kosova pikërisht disa prej tyre janë të vendosur e disa prej fshatrave në afërsi të Çakorrit në atë zonë dhe fillimisht në atë kohën e UNMIK-ut është mendu që mund të ketë një lloj konflikti mes njerëzve, po pastaj këtu në raportet me Malin e Zi, nuk shoh kurrfarë problemi që qeveritë tona të gjejnë modalitete, nuk po e them ashtu të bahet një zonë ku bëhet qarkullim i madh i mallrave dhe do duhej të investohet shumë në krijimin e sistemit ndërkufitar, me policinë e të gjitha të tjerat, mirëpo ka mundësi për procedura edhe më të lehta”.
Ai konsideron se, përkundër çështjeve të pazgjidhura si demarkacioni, ekziston hapësirë për bashkëpunim me Malin e Zi për ta bërë funksionale këtë rrugë.
“Edhe në bashkëpunim me Malin e Zi, besoj që gjendet një hapësirë për me u hapë kjo rrugë, për shkak se ne dimë se këtu ekziston ndonjë problem tjetër, problemi i demarkacionit me Malin e Zi, ku pretendohet, sidomos prej banorëve edhe prej atyre që kemi pa në realitet, që një pjesë e madhe e Çakorrit është të zhvendosë si kufij paraprak, që është mendu përpara që është deri në Çakorr”.
Mujaj thekson se zgjidhja e këtij problemi kërkon vullnet politik dhe dialog konstruktiv ndërmjet palëve.
“Dhe të gjitha këto problematika janë vetëm një prej problemeve të shumta që i ka komuniteti, po edhe shteti të pazgjidhura në këtë zonë jashtëzakonisht të rëndësishme për turizmin dhe për zhvillimin e vendit tonë”.
“Unë po mendoj që ai është një çështje jashtëzakonisht e lehtë për t’u zgjidhur nëse kish me pas vullnet të mirë edhe biseda të mira, në këtë rast edhe me Malin e Zi”.
Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e lidhjeve familjare dhe sociale mes banorëve të zonave përreth, të cilat do të lehtësoheshin ndjeshëm me hapjen e pikës kufitare.
“Së paku në një pikë ku mirëpriten turistët dhe lejohet lëvizja e dyanshme edhe e komunitetit të asaj zone, si janë: Plava, Gucia me zonën e Rugovës dhe Pejës, për shkak se një pjesë e madhe e këtyre banorëve kanë edhe afërsi të jashtëzakonshme familjare. Dihet se martesat më të mëdha gjatë një periudhe shumë të gjatë janë bo veç zonës së Rugovës dhe zonës së Plavës e Gucisë. Kështu që shumë nipa, mbesa, dajë, kanë qarkullu nga kjo pjesë, si pjesë e parë e nevojës të komunitetit”.
Në fund, ai thekson potencialin e madh turistik të kësaj zone dhe nevojën për një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve.
“Pastaj, ajo pjesa tjetër e zhvillimit të turizmit është një hap tjetër që veç vërtet Qeveria do të duhej ta mendonte mirë dhe mendoj që me një qasje pozitive bashkë me Malin e Zi do të mund ta gjeni një zgjidhje të lehtë që t’i mundësonte edhe komunitetit të bashkë ndërvepronte mes veti, por njëkohësisht edhe shërbimi turistik, i cili po shihet që në të ardhmen mund të jetë me potencial i jashtëzakonshëm edhe për pjesën veriore të Shqipërisë me këtë zonën e Malit të Zi që përfshihen Plava, Gucia e Vuthajt, por edhe zona e Rugovës bashkë me Pejën”, përfundoi ai.
Ndërkaq, Nol Krasniqi nga organizata “Merimaga” vë në pah përfitimet konkrete që do të sillte hapja e kësaj rruge, sidomos në shkurtimin e distancës ndërmjet qyteteve.
Nol Krasniqi nga “Merimanga”
“Gjëja kryesore është se i lidh shqiptarët më lehtë. Sot dikush që dëshiron të vijë prej Plavës për në Pejë, duhet të shkojë në Berane, duhet të kthehet nga Rozhaja dhe të vijë në Pejë, që janë diku 118 kilometra rrugë”, deklaroi ai për Telegrafin.
Ai thekson se hapja e Çakorrit do ta reduktonte ndjeshëm këtë distancë.
“Nëse hapet Çakorri, kjo rrugë shkurtohet në 68 kilometra. Kjo është gjëja e parë me distancën”.
Krasniqi flet edhe për ndikimin në turizëm dhe perceptimin e gabuar të vizitorëve që shpesh e konsiderojnë këtë rrugë si të hapur.
“Ndërsa gjëja e dytë, rruga e Çakorrit është ndër rrugët e para që e ka lidhë Evropën me Greqinë e me këtë pjesën poshtë dhe krejt turistët kur janë ardhë nga Kroacia, Mali i Zi, Çakorr dhe Pejë, për të vazhduar më pas në Maqedoni të Veriut, për me dalë në Greqi dhe Peja u konsiderua si një pikë ndalese për secilin që të ndalet”.
“Me qindra apo mijëra motoristë kthehen çdo vit në Çakorr, pasi mendojnë se ajo rrugë është e hapur, pasi në Google Maps figuron që është e hapur, por aty janë gurë të vendosur dhe e pamundësojnë kalimin”, shtoi Krasniqi. /Telegrafi/