Sulmuesi brazilian Endrick ka bërë një hap të guximshëm dhe shumë të zgjuar në karrierën e tij, duke u larguar në huazim nga Real Madridi te Olympique Lyon.
Në Francë, 19-vjeçari po tregon gjithë potencialin që nuk arriti ta shfaqte në Madrid, duke realizuar katër gola në katër paraqitje.
Periudha e tij te Real Madridi ishte e vështirë. Edhe pse Carlo Ancelotti i kishte premtuar minuta dhe gradualisht po e inkuadronte në skuadër, situata ndryshoi me ardhjen e Xabi Alonsos, nën drejtimin e të cilit Endrick pothuajse u zhduk nga fusha.
Shansin e tij e mori vetëm në fund të vitit, në një moment kur Alonso po luftonte për të ruajtur postin, por braziliani vendosi se karriera e tij kishte nevojë për një drejtim tjetër dhe më shumë minuta loje.
Huazimi te Lyon, po del të jetë i qëlluar
Huazimi te Lyon deri në fund të sezonit po rezulton vendim i qëlluar. Endrick është shfaqur i vendosur, i uritur për gola dhe katër realizimet në katër ndeshje flasin qartë për talentin dhe instinktin e tij si sulmues.
Përkundër faktit se prej kohësh është milioner, Endrick mbetet besnik ndaj parimeve të futbollit dhe disiplinës profesionale. Mediat braziliane raportojnë se ai bën një jetë shumë të qetë në Francë, plotësisht të fokusuar në futboll.
“Ai ka një përqendrim të jashtëzakonshëm. Jeton rreth 20 minuta larg qendrës stërvitore të Lyonit, ka një kuzhinier personal dhe e kalon kohën e lirë vetëm me gruan dhe qentë e tij”, shkruajnë mediat braziliane.
Sipas tyre, Endrick del nga shtëpia vetëm për angazhimet e klubit dhe është rrallë ta shohësh në publik, çka tregon përkushtimin maksimal ndaj karrierës.
Hapi i radhës
Lyon është i kënaqur me paraqitjet e tij dhe tashmë po përflitet mundësia e qëndrimit edhe sezonin e ardhshëm, por aktualisht plani mbetet rikthimi i tij te Real Madridi gjatë verës.
E ardhmja e Endrick në “Santiago Bernabeu” do të varet shumë edhe nga trajneri i ri i madrilenëve. Pas përvojës jo të mirë me Ancelottin dhe sidomos me Xabi Alonson, braziliani nuk pritet të marrë vendime të nxituara.
Real Madridi i pagoi Palmeiras rreth 50 milionë euro për shërbimet e tij dhe pavarësisht vështirësive fillestare, Endrick mbetet një nga talentet më të mëdha të brezit të ri – qoftë për Madridin, qoftë për një karrierë madhështore diku tjetër. /Telegrafi/