Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim në Prishtinë, në “Sami Frashëri”, ku ka vlerësuar energjinë dhe motivimin e madh të qytetarëve, duke theksuar se Kryeqyteti po prin fort drejt ndryshimit.
Në postimin e tij, Abdixhiku ka thënë se Dega 2 e LDK-së në Prishtinë ka organizuar një tubim mbresëlënës, duke e cilësuar pjesëmarrjen dhe përkrahjen si dëshmi të lidhjes së fortë mes partisë dhe qytetarëve.
“Sa shumë energji. Sa shumë lidhje. Sa shumë motiv. Prishtina këtë herë prinë fort për ndryshim,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka prezantuar edhe kandidatët e LDK-së nga kjo degë, duke përmendur Jehona Lushaku Sadriu (nr. 8), Florian Dushi (nr. 34), Jeta Rafuna (nr. 39), Berat Rukiqi (nr. 40) dhe Sevdije Abazi (nr. 105), të cilët i ka cilësuar si kandidatë të fortë dhe përfaqësues të denjë për Kryeqytetin.
Abdixhiku ka premtuar se LDK do t’i japë Prishtinës një qeveri që nuk e bllokon dhe nuk e saboton, por që e mbështet fuqishëm zhvillimin e saj, duke përfshirë 1.5 miliardë euro investime për projekte të ndryshme zhvillimore.
“Ky është zotimi ynë për Prishtinën. Koha të bëjmë të ardhmen,” ka përfunduar Abdixhiku.