Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë fjalën në Kuvend gjatë seancës së jashtëzakonshme të thirrur për diskutim lidhur me çështjen e presidentit.
Ai e ka nisur fjalimin duke theksuar se vendi ndodhet në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe se çdo dështim në këtë proces do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.
“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Dështimi e dërgon vendin në zgjedhje të reja, që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve”, tha Kurti, duke shtuar se zgjedhjet e shpeshta do të ndikonin në frenimin e punës së qeverisë.
Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shmangur asnjëherë përgjegjësinë për qeverisje.
“Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme”, u shpreh ai.
Seanca po zhvillohet në një atmosferë të tensionuar politike, në kohën kur procesi i zgjedhjes së presidentit po hyn në fazën vendimtare.