Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin ka thënë se për dekada me radhë përmasa e mbështetjes dhe roli i mërgatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikurse bashkatdhetarëve gjithandej botës, kanë qenë jetike për mirëqenien si qytetarë dhe triumfin e Kosovës në luftën për liri dhe angazhimin për shtetndërtim.
Këtë deklaratë Kurti i bëri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se: “Tash Republika e Kosovës, shtet i pavarur, sovran, demokratik e me zhvillim të qëndrueshëm, ofron mundësi të shkëlqyeshme për investime. Kësisoj, për dallim nga dekada më parë, tash bashkatdhetarët nuk kanë nevojë të sakrifikojnë për të kontribuuar, sepse mund të investojnë për të fituar”.
Tutje ai ka thënë se në mbrëmjen e organizuar me Data4X dhe Ed e Barbara Hammel në rezidencën e Richard Lukajt në Westchester, me bashkatdhetarë, si dhe investitorë e politikanë amerikanë, përfshirë ish-kryetarin e Hartfordit, Luke Bronin, biseduan për mundësitë dhe mënyrat konkrete për investime amerikane në Kosovë dhe rolin lehtësues të mërgatës sonë në këtë drejtim.
“Republika jonë është partnere në të cilën mund të llogarisin dhe gjejnë mbështetje”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/