Kuvendi i Komunës së Deçanit ka njoftuar se të martën, më 22 shtator 2026, do të mbajë mbledhje urgjente për të debatuar rreth aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Mbledhja do të mbahet në ora 11:00, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Deçanit.
Në mbledhje janë ftuar anëtarët e Kuvendit të Komunës, përfaqësues të institucioneve komunale, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së – dega në Deçan, bashkësive fetare dhe OJQ-ve lokale.
Sipas rendit të propozuar të punës, pas hapjes së mbledhjes dhe fjalës së kryesuesit, do të ketë fjalime nga kryetari i Komunës, përfaqësuesit e subjekteve politike, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkësive fetare dhe OJQ-ve lokale.
Në fund është paraparë edhe miratimi i deklaratës “Jo në emrin tim”. /Telegrafi/