Gjyqi i rrjetit të spiunazhit të Portlandit filloi më 13 mars 1961. BBC raportoi për një histori të Luftës së Ftohtë me spiunazh, tradhti bashkëshortore, ekzorcizëm – dhe një bungalov me pamje mashtruese të zakonshme.
Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Pamja që mbetet në kujtesë nga një shkëmbim spiunësh gjatë Luftës së Ftohtë është ajo e dy të burgosurve të liruar që ecin ngadalë nga anët e kundërta të një pike kontrolli ose ure të zymtë drejt lirisë. Kur Helen dhe Peter Kroger u liruan nga burgu në vitin 1969, në këmbim të një pedagogu britanik të mbajtur në Bashkimin Sovjetik, historia ishte ndryshe.
Duke qëndruar pranë tyre në një aeroplan që nisej për në Poloni, Tom Mangold i BBC-së raportoi: “Për më pak se një ore, ata do të shkelin në tokën komuniste për të cilën kanë gënjyer dhe spiunuar dhe për të cilën kanë kaluar nëntë vjet në burg. Pas nëntë vitesh: salmon i tymosur, vezë, pulë, shampanjë dhe kafe për Krogerët, ndërsa rrinë, shumë të lumtur, në vendet që fillimisht në këtë hapësirë të klasit të parë ishin caktuar për lajmet televizive të BBC”.
Krogerët ishin dënuar në vitin 1961 si pjesë e rrjet famëkeq të spiunazhit të Portlandit, me pesë anëtarë, një nga operacionet më të rëndësishme të spiunazhit të asaj kohe. Sistemi i zgjuar i komunikimit të çiftit përfshinte dërgimin e dosjeve të vlefshme të inteligjencës britanike në Moskë. Shumë njerëz mendonin se ata po shpëtonin lehtë.
Lexo po ashtu:
– Shqiptari që për pak nuk e ndërroi rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore: Dosjet sekrete të Operacionit Cicero
– Jeta e agjentit më dinak të shekullit XX, Kim Philby: Pse e ndihmoi Enver Hoxhën dhe pse thoshte se përmes Shqipërisë e parandaloi Luftën e Tretë Botërore?
– Anglezi që ndryshoi botën e spiunazhit
– Aeroplani dhe spiuni i CIA-s që ranë në Rusi në vitin 1960
– “Marifeti më i zgjuar që prej Kalit të Trojës”: Vepra sovjetike e artit që spiunoi ShBA-në
– Spiuni i harruar britanik i cili u infiltrua në rrethin e ngushtë të Hitlerit
– Spiuni sovjetik që mashtroi edhe “nënën” e vet
Objekti kryesor i interesit të spiunëve ishte Baza e Armëve Nënujore të Admiralitetit në Portland, një gadishull në skajin jugor ranor të Anglisë. Në këtë qendër kërkimore, shkencëtarët dhe teknikët punonin në disa nga projektet më të ndjeshme të Marinës Mbretërore, si sistemet e luftës kundër nëndetëseve. Pavarësisht natyrës shumë sekrete të punës, çdo pajisje që testohej regjistrohej me kujdes. Çdo aparat i ri dhe çdo ndryshim i propozuar kishte dosjen e vet të mbushur me fotografi, vizatime dhe specifikime teknike. Për t’i siguruar këto, sovjetikët kishin nevojë për spiunë profesionistë. Dy prej tyre ndodheshin brenda vetë qendrës kërkimore.
Harry Houghton ishte një ish-oficer i Marinës Mbretërore që ishte rekrutuar nga inteligjenca komuniste ndërsa punonte në Ambasadën britanike në Poloni. Kur u kthye në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1953, ai rifilloi aktivitetin e spiunazhit pasi mori një punë si nëpunës në qendrën e Portlandit. Ai nisi një lidhje jashtëmartesore me kolegen që kishte qasje në materiale me klasifikim më të lartë, Ethel Gee. Duke u shtirur si burrë e grua, çifti udhëtonte në Londër për të takuar kontaktin e tyre të KGB-së dhe për t’i dorëzuar materialet e vjedhura.
Nga dokumentet e publikuara nga shërbimi britanik i inteligjencës MI5 në vitin 2019, doli se ata kanë mundur të zbulohen shumë më herët falë një sinjalizimi nga gruaja e vërtetë e Houghtonit, e cila ishte bërë dyshuese për udhëtimet e tij të shpeshta në Londër. Zonja Houghton tha se, kur ai u kthye nga një udhëtim, “nxori një tufë bankënotash njëpaundëshe dhe i hodhi në ajër”. Në një rast tjetër, ajo hapi një pako në tavolinën e tij dhe gjeti një grumbull dokumentesh me mbishkrimin “top sekret”. Dhe, kur e pyeti burrin për një aparat fotografik të vogël që kishte zbuluar të fshehur poshtë shkallëve, ai u zemërua. Por, akuzat e saj u injoruan, sepse mendohej se ishin “bërë në çast dhe thjesht nga inati”.
Aparati i vogël fotografik që kishte zbuluar gruaja e Houghtonit ishte arma kyçe në arsenalin e spiunëve. Fotografitë e bëra me kamera mikrodot mund të zvogëlonin faqe të tëra informacioni në mënyrë që të futeshin në një copëz shumë të vogël filmi. Kjo mund të vendosej mbi letër në një hapësirë sa pika në fund të kësaj fjalie. Një pikë e vetme, fare e vogël, mund të përmbante fotografi dhe skica të detajuara. Të fshehura në një kartolinë ose brenda një libri, këto mesazhe sekrete mund të dërgoheshin në Moskë dhe do të ishte e pamundur të zbuloheshin, përveç nëse dikush e dinte saktësisht se ku të kërkonte.
Duke spiunuar spiunët
Pjesa tjetër e rrjetit të spiunazhit – ekspertët e komunikimit – kishte krijuar historinë perfekte mbulese. Për fqinjët e tyre në periferinë e qetë të Londrës, Peter dhe Helen Kroger ishin njëri shitës i librave të vjetër i specializuar në kulturën amerikane dhe tjetra amvise. Kjo ishte mbulesa ideale për aktivitetet e tyre, sepse shpjegonte udhëtimet e shpeshta të biznesit jashtë vendit me librat e tyre, madje edhe përtej Perdes së Hekurt. Brenda bungalovit të tyre në dukje të zakonshme, ata kishin ndërtuar një qendër të sofistikuar komunikimi, të pajisur me një transmetues radioje të fshehur dhe me pajisje mikrodot. Emrat e tyre të vërtetë ishin Morris dhe Lona Cohen, që të dy qytetarë amerikanë dhe agjentë veteranë sovjetikë.
Në mes, kontakti i KGB-së që drejtonte operacionin në emër të Moskës njihej në Londër si Gordon Lonsdale, një biznesmen kanadez që merrej me furnizimin e xhubokseve dhe makinave automatike të shitjes. Ai shijonte përfitimet e kapitalizmit: biznesi i tij fitimprurës paguante për një mori makinash dhe një jaht. Në të vërtetë, emri i tij ishte Konon Molody, një agjent i KGB-së i lindur në Rusi. Roli i tij në rrjetin e spiunazhit të Portlandit ishte të merrte informacionin nga dy personat brenda qendrës kërkimore dhe t’ua kalonte Krogerëve. Kjo veprimtari vazhdoi pa u zbuluar për disa vite, derisa shërbimet e inteligjencës morën një informacion që nuk mund të injorohej.
Një nga spiunët më të rëndësishëm të Luftës së Ftohtë, oficeri i inteligjencës polake Michal Goleniewski, i njohur edhe si Sniper, ishte një agjent i trefishtë që ia jepte CIA-s sekrete sovjetike dhe polake. Ai u tha atyre se sovjetikët kishin një informator britanik të vendosur në një pozicion të rëndësishëm në kërkimet detare. Megjithëse ky informacion ishte i paqartë, ai ishte mjaft shqetësues sa për ta shtyrë MI5-in të dërgonte hetues në qendrën e Portlandit. Dyshimet shpejt ranë mbi Harry Houghtonin, udhëtimet e fshehta të të cilit në qendër të Londrës me Ethel Geenë u vëzhguan me interes të madh. Në një rast ata u panë duke ia dhënë një çantë një burri që më vonë u identifikua si Gordon Lonsdale. Gjurmët çuan drejt periferisë, ku Lonsdale u ndoq deri te bungalovi teknologjik i Krogerëve.
Gjatë dy muajve në vijim, MI5 dhe policia ngritën një kurth për Krogerët në shtëpinë përballë, që i përkiste miqve të tyre, familjes Search. Operacioni i mbikëqyrjes ishte aq dramatik saqë më vonë aktorja Judi Dench do të luante në një shfaqje të suksesshme të vitit 1983 në Uest-Ende të quajtur Pakoja e gënjeshtrave [Pack of Lies]. Oficerët monitoronin lëvizjet në shtëpinë e Kroger;ve teksa familja Search vazhdonte me jetën normale. Vajza e tyre, Gay Search, e cila ishte 15 vjeçe në atë kohë, i tha BBC-së në emisionin Witness History në vitin 2014: “Është e pabesueshme sa efektive ishte nëna. Në fillim nuk ishte e qartë për prindërit e mi se Krogerët ishin një pjesë e madhe e hetimit. Dalëngadalë MI5-i ia bëri të qartë nënës se Peter dhe Helen nuk ishin njerëzit që pretendonin të ishin”.
Në fillim të vitit 1961, MI5-i mendoi se Krogerët po bëheshin nervozë dhe mund të përpiqeshin të arratiseshin. Më 7 janar, Houghton dhe Gee u arrestuan në qendër të Londrës bashkë me Lonsdalein pas njërit prej takimeve të tyre. Një qese blerjesh që mbanin me vete rezultoi të përmbante katër broshura testimi të Admiralitetit dhe një kuti filmi të pashfaqur që përfshinte detaje për nëndetësen e parë bërthamore të Britanisë, HMS Dreadnought.
Po atë ditë u arrestuan edhe Krogerët. Kryeinspektori i detektivëve, George Smith, i cili drejtonte hetimin e Njësisë Speciale, i tha BBC-së se gjatë arrestimit zonja Kroger ishte përpjekur të zhdukte prova të rëndësishme. “Ajo tha: ‘Mbikëqyrës, meqë duket se do të largohemi për një kohë të gjatë, a keni ndonjë kundërshtim nëse shtoj zjarr në kaldajë?’ dhe unë i thashë: ‘Sigurisht që jo, por a do të më lejoni të shoh çfarë keni në çantën tuaj’”? Në një zarf të bardhë ai gjeti një copë letër me numra të shkruar në blloqe. Më vonë u zbulua se ato ishin referenca koordinatash në një hartë që tregonin vendet e takimeve.
Një kontroll i mëtejshëm i shtëpisë zbuloi një derë të fshehtë në kuzhinë që hapte në një bodrum të vogël, ndërsa banja shërbente gjithashtu si dhomë e errët fotografike. Në tavan, oficerët gjetën kamera të tjera dhe pajisje fotografike, një antenë radioje prej 74 këmbësh (22.5 metrash), një transmetues të fuqishëm radioje si dhe gjashtë mijë dollarë në kartëmonedha prej 20 dollarësh. Gruaja që më vonë u vendos në shtëpinë e Krogerëve, e quajtur nga mediat “bungalovi i sekreteve”, gjeti dokumente dhe sende personale që ata kishin lënë pas. Ajo i tha BBC-së në vitin 1969: “Ne sollëm këtu një mikun tonë, një medium spiritualist, dhe ai bëri një ekzorcizëm në shtëpi për ne, sepse ende e kishim atë ndjesi këtu – thjesht nuk mund ta largonim”.
Shkëmbime të të burgosurve
Gjyqi i rrjetit të spiunazhit të Portlandit zgjati rreth dy javë. Lonsdale u dënua me 25 vjet burg, por shërbeu më pak se katër vjet. Në vitin 1966 ai u lirua dhe iu dorëzua rusëve në këmbim të anglezit të akuzuar për spiunazh në Moskë, Greville Wynne. Pas kthimit në Bashkimin Sovjetik, Lonsdale u prit si hero. Në vitin 1968 u realizua një film në stilin e Xhejms Bondit i bazuar disi në historinë e jetës së tij. Ai vdiq në vitin 1970, në moshën 47-vjeçare.
Krogerët u dënuan me nga 20 vjet burg. Në vitin 1969 ata u shkëmbyen me pedagogun britanik Gerald Brooke, i cili kishte kaluar katër vjet në burg për kontrabandë fletëpalosjesh antisovjetike. Pasi fillimisht fluturuan për në Poloni pas lirimit të tyre, ata u vendosën në Moskë. Të dy morën dekoratën prestigjioze ushtarake ruse, Urdhrin e Flamurit të Kuq. Në vitin 1998, secili prej tyre u përkujtua në pulla postare që nderonin Heronjtë e Federatës Ruse.
Houghton dhe Gee shërbyen secili nga nëntë vjet nga dënimet e tyre prej 15 vjetësh. Fillimisht, Gee u kthye të jetonte në shtëpinë e saj të vjetër në Portland, ku në rrugë përballej me thirrje si “tradhtare”. Kur një reporter i BBC-së sugjeroi se njerëzit mund të mos e pëlqenin të jetonin në të njëjtën rrugë me një spiune, Houghton u përgjigj me zemërim: “Atëherë le të shpërngulen, dreqi e marrtë”. Gee tha: “Kam plotësisht të drejtë të kthehem në shtëpi. Për mua kjo punë ka mbaruar. Ka përfunduar. Gjithçka që dua është të jetoj një jetë të qetë”. Një vit më vonë, ata u martuan. /Telegrafi/