E plotësusar: Ka nisur seanca për Presidentin, ndërkaq në sallë nuk ndodhen deputetët e opozitës..
__________________________________________________________________________________
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi si “hajgare” thirrjen e seancës nga LVV-ja për të diskutuar për çështjen e presidentit.
“Nuk kemi nevojë të diskutojmë nëse Kosova ka nevojë për president apo jo. Kjo është çështje kushtetuese dhe shtetërore, jo temë improvizimi. PDK ka qenë e qartë që nga dita e parë dhe ka ofruar opsione konkrete për zgjidhje”, shkroi ajo në Facebook.
Çitaku e akuzoi LVV-në se nuk e ka trajtuar me seriozitet procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se partia e kryeministrit Albin Kurti “nuk kërkon konsensus, por prodhon krizë”.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj është e gatshme të japë nënshkrimet e nevojshme për tre kandidatë për president, sapo që emrat të propozohen nga PDK-ja dhe LDK-ja.
“Arsyeja e tre kandidatëve është që PDK dhe LDK të bëhen pjesë e procesit. Dhe, do të shmangeshin zgjedhjet e reja sepse do të merrnin pjesë në votim 80 deputetë”, tha ajo.
Nagavci tha se LVV tërheqë kandidatët e saj për president, por opozita duhet që paraprakisht të propozojë të paktën dy emra për president.
Ajo tha se pranuar asnjë nënshkrim nga LDK-ja për të propozuar ish-presidenten Vjosa Osmani për presidente.
E pyetur që të konfirmojë raportimet se LVV po bisedon me Bashkim Jasharin që ai të kandidohet për president, Nagavci tha:
“Nuk mund të konfirmoj informacionin që po qarkullon në media. Ajo që mund të konfirmoj është që si LVV kemi bërë propozime të njëpasnjëshme dhe i fundit ishte propozimi i tre kandidatëve”.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit.
Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.
“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.
I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar – teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.
E nëse LDK-ja e propozon ish-presidenten Vjosa Osmani, Hamza tha se ajo mund të zgjidhet me votat e LDK-së dhe LVV-së.
Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm.
Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin.