Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar se shpreson në arritjen e një konsensusi politik për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që vendi të mos detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Sipas saj, në rast se vendi përballet me zgjedhje të parakohshme, është thelbësore që paraprakisht të miratohen disa çështje me rëndësi të veçantë për funksionimin e shtetit.
“Edhe pse ende nuk kemi konsensus për zgjedhjen e presidentit, shpresoj që ta arrijmë. Por nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, atëherë është e rëndësishme që para kësaj të votohen këto çështje të rëndësishme. Nesër do të kemi gjithashtu dy seanca plenare dhe të hënën seancën që e caktuam sot”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo po ashtu tha: “Mendoj që është shumë gabim që një javë para afatit kushtetues për mbylljen e çështjes së presidentit të thuhet që kjo çështje është e mbyllur. Është dashur që e gjithë kjo javë të shfrytëzohet për arritjen e një konsesusi për zgjedhjen e presidentit me mandat pesë vjeçarë. E kam thënë edhe dje që situata aktuale po më ngjason me situatën e vitit të kaluar, ku edhe përkundër faktit që kishte takime nuk kishte vullnet për të dal nga ngërçi. Është e rëndësishme që palët të reflektojnë dhe të kihet parasysh vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet, dhe kushdo që mendon që të shkohet në zgjedhje e do kenë rezultate mendoj që e kanë gabim, qytetarët e kanë dëshmuar që dinë të vlerësojnë”, përcjell Telegrafi.
Më tej, ajo bëri të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që më 27 prill të mbahet një seancë e re plenare, ku pritet të shqyrtohen disa projektligje të rëndësishme.
“Kryesia e Kuvendit vendosi që më 27 prill të ketë një seancë të re për të adresuar disa çështje shumë të rëndësishme. Në këtë drejtim përfshihet Projektligji për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, si dhe Projektligji për Energjinë. Po ashtu, do të shqyrtohet edhe propozim-vendimi për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, ndër të tjera”, ka theksuar Haxhiu. /Telegrafi/