Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, duke vlerësuar se as pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nuk tregojnë se i pandehuri ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike të përshkruara në parashtrimin e mbrojtjes.
Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.
Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive. Në lidhje me pyetjen nëse arma ishte snajper apo pushkë gjuetie, gjykata tha se kjo nuk ka relevancë për të përcaktuar përfshirjen e Dushan Maksimoviq në grupin terrorist.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, deklaroi se arsyetimi më i detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve do të përfshihet gjatë përpilimit të aktgjykimit.
Gjithsesi, propozimi i avokates Jovana Filipoviq për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosajlleviq mbetet i validuar dhe do të mbahet, ashtu siç ishte miratuar paraprakisht nga kjo gjykatë.
Rasti “Banjska”, sërish dy të akuzuarit nuk deklarohen e njëri thotë se nuk është fajtor
(Përditësuar 10.41) Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues.
Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala, pas avancimit të Hotit në Gjykatën e Apelit.
Në seancë ishte i pranishëm dëshmitari Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja për të dhënë deklarimin e tij. Kryetari Arrni njoftoi se për momentin nuk ka mundësi kohore për të vazhduar me dëshminë, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu u konstatua se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është lexuar dhe pranuar nga të gjitha palët, pasi mbrojtja dhe prokuroria hoqën dorë nga leximi zyrtar.
Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq thanë se nuk dëshirojnë të deklarohen.
Ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për akuzën që ngarkohet.
Avokati Millosh Deleviq, theksoi se aktakuza duhet të përqendrohet në veprimet konkrete të Vladimir Toliq.
Prokurori Naim Abazi tha se shqyrtimi duhet të fillojë rishtazi dhe provat të lexohen për të vazhduar nga faza e mëparshme. Avokatët e të akuzuarve dhe të pandehurit ranë dakord, duke thënë se kjo shmang vonesa dhe siguron efikasitet të procedurës.
Lidhur me propozimin për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të ri nga ana e mbrojtjes, pas analizimit të shkresave, Prokuroria ka kundërshtuar këtë propozim.
Sipas prokurorisë, propozimi i tillë ka mungesë të relevancës dhe individualizimin konkret të provës që janë propozuar.
Prokuroria konsideron se dëshmitarët e propozuar nuk rezultojnë të tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur në Bansjkë.
“Dëshmitarët e propozuar synojnë të ndërtojnë një narrativë të përgjithshme të mbrojtjes apo alibi kolektive a ndonjë vlerë të re provuese dhe që është krejtësisht në kundërshtim me provat materiale dhe personale që i kemi dorëzuar në këtë shqyrtim gjyqësor”, ka thënë prokurori Abazi.
Avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që dëshmitarja Dragana Antonijeviq të ftohet sërish, pasi ka punuar me Maksimoviq dhe mund të japë informacione, por gjykata konstaton se nuk është arritur ta sigurojë prezencën e saj. Deklarata e saj është konsideruar e lexuar për të mos zvarritur procesin, ndërsa gjykata do të bëjë një përpjekje të re në të ardhmen.
Prokurori njoftoi se nga shqyrtimi i mëparshëm më 17 prill 2025 nuk ka ndryshime në situatën e të akuzuarve, por do të dorëzohen prova të reja materiale me shkrim.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci dhe palët e dëmtuara nuk kanë pasur çfarë të shtojnë, ndërsa avokatët e të akuzuarve mbeten pas fjalës hyrëse.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësisë/