Teksa gratë shkojnë të qeta në kontrollet rutinore, partnerët e tyre bëjnë skena teatrale …
Nga: Hannah Betts / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Gratë e moshës së mesme, si unë, janë qenie racionale kur bëhet fjalë për shëndetin. Sistemet e ndërlikuara që kërkojnë organet tona riprodhuese na mbajnë pranë zanatit mjekësor.
Vetëm pak ditë më parë, mu desh të kontrolloja të dy gjysmat e trupit tim: fillimisht, gjinjtë e ngjeshur si në Mesjetë nën një skaner; më pas, një takim me gjeniun që mban nën vëzhgim pjesën më delikate. Asgjë argëtuese. Megjithatë, nuk nxora asnjë pikë djerse, as spekulime, as nuk e vrava mendjen fare. Thjesht, do ta bëj atë që më thonë ekspertët në fjalë.
Në anën tjetër, pak ditë më parë na erdhi lajmi se brezi Z po i drejtohet IA-së [inteligjencës artificiale] për këshilla shëndetësore, në vend të burimit më konvencional që është mjek i cili ka kryer trajnim të vërtetë mjekësor. Edhe ekspertët e vetëshpallur në TikTok dhe YouTube u konsideruan orakuj.
– Lexo po ashtu nga Hannah Betts: Më në fund, një përparësi për mua!
Kjo mund të shpjegojë pse pjesëtarët e brezit Z janë të mbërthyer nga problemet e shëndetit mendor, kur një profesionist dashamirës mund t’u thoshte se “simptomat” që po përjetojnë janë thjesht jeta e të rriturit.
A është kjo ADHD [Çrregullimi i deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet], apo thjesht e ke të vështirë të punosh me përqendrim në një pasdite të së martës? Po vuan nga një sulm ankthi apo janë thjesht nervat para provimit? Je “pak autik” apo thjesht një introvert që ndihet tmerrësisht keq në një festë? Aty ku një mjek sheh individin, IA-ja përllogarit në mënyrë të vrazhdë. Ndërkohë, brezi Z bëhet gjithnjë e më i shqetësuar.
Megjithatë, të mos i marrim si shembull të rinjtë tanë, kur neurotikët e vërtetë të shoqërisë janë burrat e moshës së mesme. Përshëndetje për grupin më histerik hipokondriak që ka njohur njerëzimi, që vetëdiagnostikohet pa pushim dhe më pas na luan rutinën e mjellmës që po ngordh.
Një mori bashkëmoshatarësh të mi meshkuj as që kanë mjek të përgjithshëm, e lëre më të konsultohen me të. Në vend të kësaj, pas kërkimeve të ethshme në laptop, arrijnë në përfundimet e tyre – në mënyrë të parashikueshme melodramatike – duke e ngritur çdo shqetësim shëndetësor në nivelin e një sulmi të murtajës bubonike.
Ta marrim si shembull rastin që do ta quaj “X” – ndonëse lexuesit e rregullt mund të dallojnë më shumë se një ngjashmëri kalimtare me të dashurin tim prej 12 vjetësh. Në çastin që X-i ndihet sadopak pa qejf, ai gjykon se “po e zë diçka”. Një shall do t’i shfaqet rreth qafës, do ta kapë një zë i mekur i shoqëruar prej rënkimeve të ngjirura të dëshpërimit të ethshëm, derisa – shembet! – njërën dorë në gjoks, tjetrën të varur tragjikisht à la [piktura] Vdekja e Shatertonit e Henry Wallisit.
Do të ketë kërkesa me zë të ngjirur për shurupe, kompresa të ftohta, KitKat-e. Gjatë gjithë kohës, X-i do t’i mbajë sytë nga tavani, sikur portat e Parajsës të jenë pranë, ndërsa çdo gjest mirësie do të jetë një qortim ndaj padurimit. Ja pra, përpara nuk kemi një menaxher 52-vjeçar të nivelit të mesëm, por Xhoin, pastruesin e rrugëve nga [romani] Shtëpia e Zymtë, që ankohet se ai “ishte shumë i mirë me mua, ishte”!
Me kalimin e kohës, kjo sëmundje (e përcaktuar krejtësisht me intuitë) do të konsiderohet se po zbutet dhe forcat do të fillojnë të rikthehen. Do të hidhet ideja e një konvaleshence buzë liqenit, do të sigurohen mjetet ndihmëse për lëvizjen – sikur vetëm të mund të gjendej forca! Me pak fjalë, do të preferoja të sëmuresha vetë sesa të shihja X-in të binte i sëmurë – dhe jo sepse jam në ndonjë mënyrë vetëmohuese.
Ushtari im i madh dhe trim nuk është aspak i vetmi. Nëse burracakëria i mban burrat e moshës së mesme larg ordinancës së mjekut, egoja i bind se ata dinë më mirë, ndërsa ka edhe njëfarë kënaqësie në gjithë këtë shfaqje. Sepse, sapo ata bëhen pacientë, njeriut të tyre të dashur i duhet të luajë rolin e infermierit.
Thellë në zemrën e çdo shpirti mashkullor duket se ekziston një dëshirë për spitalin e fushës së betejës, ku ndonjë shoqe e përkushtuar, me sy ëndërrimtarë, ia fshin ballin burrëror. Dhe, është jetike që shkenca të mos e prishë këtë fantazi. /Telegrafi/