Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar se gjatë një inspektimi në një objekt ndërtimi në komunën e Obiliqit ka konstatuar parregullsi lidhur me mosmarrjen e masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Siç bëhet e ditur, pas gjetjeve të evidentuara, Inspektorati ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këtë objekt.
Punimet do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e të gjitha mangësive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës.
Po ashtu, u ka bërë apel punëdhënësve që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës. /Telegrafi/