Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lavdëruar punën e të dërguarve të tij të posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në një kohë kur po qarkullojnë raportime se ai po shqyrton mundësinë që drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, të marrë një rol më të madh në përpjekjet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.
I pyetur nga gazetarët në bordin e Air Force One, Trump iu referua punës së Witkoff dhe Kushner për të arritur një armëpushim në Gaza vitin e kaluar.
“Shikoni Gazën, për shembull. Mos harroni se i sollëm të gjithë pengjet“, tha Trump.
“Nuk ka shumë luftime në Gaza. Hamasi tani është i gatshëm të dorëzojë armët e tij“, shtoi ai.
Një armëpushim i mbështetur nga SHBA-ja hyri në fuqi në Gaza në tetor 2025, duke i dhënë fund luftimeve në shkallë të gjerë, por jo sulmeve izraelite në territor.
Hamasi ka akuzuar Izraelin për shkelje të marrëveshjes, ndërsa Izraeli ka akuzuar grupin militant për shkelje të përsëritura të armëpushimit dhe për përpjekje për të rindërtuar kapacitetet e tij ushtarake, duke thënë se kjo justifikon vazhdimin e sulmeve.