Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mblodhi mbrëmjen e së martës Komitetin e Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit lidhur me situatën nga përmbytjet në këtë qark.
Pas mbledhjes ministri deklaroi se situata e përmbytjeve në qarkun e Durrësit mbetet ende problematike. Sipas tij, rreth 800 banesa janë prekur nga prezenca e ujit, ndërsa 180 persona janë evakuuar për shkak të rrezikut.
Vengu theksoi se strukturat janë në terren dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi rreziku nuk ka kaluar ende.
Ai bëri me dije se forcat e emergjencave civile, bashkitë dhe institucionet përkatëse janë të angazhuara për menaxhimin e situatës dhe për ndërhyrje të menjëhershme aty ku është e nevojshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës, deri në normalizimin e plotë të situatës.