Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka njoftuar se afati për aplikim në thirrjen publike për përkrahje financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në kuadër të Skemës së Granteve për Energji të Pastër është zgjatur deri më 31 janar 2026. Thirrja fillimisht ishte shpallur më 10 tetor 2025.
Skema, e financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe e zbatuar nga KIESA/MINT në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, do të ofrojë mbështetje deri në 25,000 euro për biznes.
Kush mund të aplikojë?
Të drejtë aplikimi kanë:
Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM),
Ndërmarrjet e mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike,
Bizneset me aktivitet primar ose sekondar në prodhim ose përpunim.
KIESA ka ftuar të gjitha bizneset e interesuara që të lexojnë me kujdes kriteret dhe udhëzimet e thirrjes publike në ueb-faqen e saj.
Çfarë mbështet skema?
Skema synon të ndihmojë bizneset të investojnë në teknologji të gjelbra, të rrisin efiçiencën e energjisë dhe të kontribuojnë në tranzicionin drejt energjisë së pastër. Ajo zbatohet përmes tre masave kryesore:
Masa 1: Sisteme solare për energji elektrike dhe bateri për ruajtjen e energjisë.
Masa 2: Investime në efiçiencë të energjisë në ndërtesa.
Masa 3: Pajisje në linjat e prodhimit që ulin konsumin e energjisë.
Shuma e financimit
Deri në 20,000 euro për një masë të vetme,
Deri në 25,000 euro për masa të kombinuara.
Mbështetja përfshin:
Panele solare për energji elektrike,
Sisteme solare për ngrohjen e ujit,
Izolim të ndërtesave për kursim energjie,
Bateri për sistemet FV,
Shndërrues frekuencorë për pajisjet ekzistuese të prodhimit.
Informacione dhe aplikim
Detajet e thirrjes mund të gjenden në faqen e KIESA-s.
Aplikimi kryhet përmes platformës eKosova.
KIESA inkurajon bizneset prodhuese dhe përpunuese që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të ulur kostot e energjisë dhe për të investuar në një të ardhme më të qëndrueshme dhe më efikase.