Manchester City pritet të pësojë edhe disa ndryshime tjera në organikën e skuadrës, pasi përveç afrimeve të reja, do të ketë edhe largime.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City në qershor, pasi aktualisht nuk ka bisedime për rinovimin e kontratës.
Bernardo u emërua kapiten i klubit nga Pep Guardiola verën e kaluar pas largimeve të Kyle Walker dhe Kevin De Bruyne, si pjesë e një riorganizimi më të gjerë të ekipit të parë të udhëhequr nga drejtori i futbollit Hugo Viana.
Që kur iu bashkua nga Monaco në vitin 2017 për rreth 50 milionë euro, Silva ka qenë thelbësor për suksesin e Cityt, duke e ndihmuar klubin të sigurojë gjashtë tituj të Ligës Premier dhe trofeun e tyre të parë të Ligës së Kampionëve.
Ai ndihmoi ekipin të kompletojë një tripletë historike, së bashku me tituj të shumtë vendas, evropianë dhe globalë.
Me kontratën e tij që po skadon, Silva ka të ngjarë të tërheqë interesin e disa klubeve më të mira në të gjithë Evropën, duke sinjalizuar fundin e një epoke të jashtëzakonshme në stadiumin Etihad.
Barcelona, Milani dhe Juventusi janë vetëm disa nga klubet e mëdha me të cilët Silva është lidhur në rast largimi nga City. /Telegrafi/