Trajneri Xavi Hernandez ka zbuluar se rikthimi i Lionel Messit te Barcelona ishte shumë pranë të realizohej, por në fund gjithçka dështoi për shkak të kundërshtimeve të brendshme në klub, më saktësisht nga presidenti Joan Laporta.
Ish-trajneri i katalanasve tregoi se kontaktet me Messin kishin nisur në fillim të vitit 2023, menjëherë pasi lojtari u shpall kampion bote me Argjentinën në Katar.
“Leo ishte praktikisht i nënshkruar. Në janar të vitit 2023, pasi u bë kampion bote, ne e kontaktuam dhe ai më tha se ishte shumë i entuziazmuar për t’u rikthyer. Folëm deri në mars dhe unë i thashë: kur të më japësh ‘OK’-në, do t’i them presidentit. Nga ana e futbollit nuk kishte asnjë dyshim”.
Ai shtoi se Barcelona kishte përgatitur edhe një plan simbolik për rikthimin e legjendës së klubit, duke menduar një fund të madh për karrierën e tij në “Camp Nou”.
“Nga ana ekonomike ne po zhvendoseshim në Montjuic dhe ideja ishte të bënim një ‘vallëzim të fundit’ si Michael Jordan. Gjithçka ishte përgatitur”.
Megjithatë, sipas Xavit, marrëveshja u prish për shkak të shqetësimeve të presidentit Joan Laporta për reagimin që mund të kishte rikthimi i Messit.
“Presidenti më tha se nëse Leo do të kthehej, njerëzit do të shkonin në luftë kundër tij dhe ai nuk mund ta lejonte këtë. Unë e telefonova babanë e tij dhe i thashë: ‘Kjo nuk mund të jetë e vërtetë, Jorge’. Ai më tha: ‘Fol me presidentin’”.
“Joan Laporta e refuzoi rikthimin e Lionel Messit, jo La Liga. Nuk kishte të bëjë me anën financiare”.
Xavi gjithashtu ka paralajmëruar tifozët e Barcelonës se klubi ka nevojë për ndryshime të mëdha strukturore në të gjitha nivelet.
“Nga zemra besoj se klubi ka nevojë për ndryshim nga lart poshtë – në strukturë dhe në profesionalizëm. Për mua është shumë e qartë dhe njerëzit duhet ta dëgjojnë këtë nga goja ime”.
“Të bëjnë të besosh se Barcelona është ‘ose je me mua ose je kundër meje’. Për 20 vjet kemi pasur këto ‘izma’: Cruyffizmi, Laportizmi, Sandroizmi, Nunezizmi. Unë nuk jam kundër Laportas, jam në favor të Barcelonës. Por nuk mund të varemi nga njerëz që nuk janë fisnikë”, deklaroi ai./Telegrafi/