Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka bërë të ditur se gjatë muajit janar 2026 janë shqiptuar gjithsej 326 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë ngasjes së automjetit, shkelje kjo që konsiderohet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Sipas komunikatës së DRP-Ferizaj, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit paraqet rrezik serioz për sigurinë e shoferëve, pasagjerëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të përqendrohen plotësisht në ngasjen e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, duke theksuar se edhe një moment pakujdesie gjatë përdorimit të telefonit mund të ketë pasoja të rënda për jetën e njerëzve.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se qytetarët kanë mundësi të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut përmes disa kanaleve:
- Drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë
- Përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
- Në numrat e telefonit kujdestar: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406
Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj është theksuar se konfidencialiteti i të dhënave të qytetarëve që raportojnë shkeljet do të ruhet plotësisht. /Telegrafi/