E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman ka deklaruar se është emocionuese t’i drejtohet një turme kaq të madhe në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ajo e ka cilësuar këtë përvjetor si një ditë të shenjtë për popullin e Kosovës, duke theksuar se 18-vjetori i pavarësisë është njëkohësisht ditë krenarie dhe përkujtimi për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit.
“Sot është ditë krenarie, por edhe përkujtim për ata që u flijuan për lirinë tonë. Kjo liri nuk erdhi vetvetiu; ajo u fitua me gjak e sakrificë, një qëndresë që ka zgjatur me shekuj”, është shprehur ajo.
Krasniqi ka theksuar se ka nderin të flasë si e dërguara speciale e Presidentes për dhunën seksuale, me synimin që zëri i viktimave të dëgjohet në mbarë botën. Ajo ka shtuar se drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës mbetet kërkesë e vazhdueshme.
Në fjalën e saj, ajo përmendi edhe ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke kërkuar lirimin e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me drejtësinë në Hagë. Sipas saj, ata e kanë mbrojtur popullin, ashtu si e gjithë UÇK-ja.
“Ne flasim për drejtësi, për krimet që i kreu Serbia në Kosovë. Ne jemi për t’i liruar ata nga Haga. Ajo që e bashkon popullin tonë është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit të gjithëve ju që i shërbyet atdheut kur kishte nevojë”, tha Krasniqi-Goodman.
Në përmbyllje, ajo falënderoi të gjithë ata që i kanë shërbyer atdheut në kohë të vështira, duke uruar qytetarët me rastin e përvjetorit të pavarësisë. /Telegrafi/