Ushtarë dhe përfaqësues të lartë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të angazhuar në Kampin Bondsteel, e kanë nisur vitin 2026 me një vizitë simbolike në një xhami në Prishtinë.
Delegacioni amerikan u prit nga imami i xhamisë, Labinot Maliqi, i cili mirëpriti mysafirët në frymën e respektit, partneritetit dhe miqësisë së ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë vizitë morën pjesë Sekretari i Shtetit të Luizianës dhe Kolonel i Forcave Ajrore të SHBA-ve, Charlton J. Meginley, Kapelani i Komandës së Shtetit të Luizianës, Kolonel Page Brooks, si dhe Kapelani i Kampit Amerikan Bondsteel, Kolonel Walls, së bashku me përfaqësues të tjerë të Ushtrisë Amerikane.
Për nder të mysafirëve u shtrua tapeti i kuq dhe u ngrit flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtizën e xhamisë, si shenjë e respektit të thellë dhe mirënjohjes për kontributin amerikan ndaj Kosovës.
Gjatë takimit, imami Labinot Maliqi falënderoi Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për rolin e saj vendimtar në çlirimin e Kosovës, në arritjen e pavarësisë, si dhe në garantimin e lirisë, paqes, sigurisë, rindërtimit dhe zhvillimit të vendit.
Vizita u cilësua si një fillim viti i denjë dhe domethënës, ndërsa një moment i veçantë ishte edhe mesazhi i lënë nga mysafirët në librin e përshtypjeve, ku u shpreh vlerësimi për përkujdesjen shpirtërore dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke dëshmuar respektin e ndërsjellë dhe lidhjet e forta mes dy vendeve.