Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime “shumë të mira” me Iranin dhe se palët pritet të takohen sërish në fillim të javës së ardhshme, duke lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje.
“Kemi plot kohë dhe nuk jemi me nxitim”, u shpreh 79-vjeçari, duke bërë një krahasim me situatën në Venezuelë, ku SHBA-të pritën për një periudhë të gjatë para se të vepronin.
Lideri amerikan theksoi se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe është tani më i gatshëm për kompromis sesa në të kaluarën.
“Ata e dinë se cilat janë pasojat nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe këto pasoja janë shumë të rënda”, tha ai.
Sipas Trump, kushti kryesor i Shteteve të Bashkuara mbetet i pandryshuar: Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore. Ai shtoi se një marrëveshje e tillë do të ishte arritur që dy vite më parë, nëse pala iraniane do të kishte qenë e gatshme ta pranonte atë në atë kohë.
“Tani ata janë të gatshëm të bëjnë shumë më tepër sesa ishin një vit e gjysmë më parë”, theksoi udhëheqësi amerikan, duke shtuar se nëse oferta aktuale do të ishte bërë që në fillim të negociatave, ajo do të ishte pranuar menjëherë.
Bisedimet mes palëve pritet të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ato do të çojnë në një marrëveshje konkrete. /Telegrafi/