Teknologjia e “deepfake” po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar, ndërsa në vitin 2025 shuma e parave të humbura nga mashtrimet online arriti nivele të larta.
Internetit është plot me premtime: nga skemat që thonë se do t’ju bëjnë të pasur shpejt, te aplikacionet e takimeve që premtojnë partnerë perfektë me disa klikime, dhe ofertat joshëse për pushime idilike.
Por me të gjitha këto mundësi vjen edhe rreziku i mashtrimeve, shkruan euronews.
Ndërsa teknologjia e “deepfake-ve” bëhet gjithnjë e më e sofistikuar, shuma e madhe e parave të humbura nga mashtrimet online po rritet ndjeshëm.
Sipas një studimi të ri nga kompania e sigurisë kibernetike SurfShark, skemat e mashtrimeve dhe mashtrimet e lidhura me deepfake-t mashtruan njerëzit për rreth 1.1 miliard dollarë (930 milionë euro) në mbarë botën në vitin 2025.
Ky është trefishi i shumës së përafërt prej 304 milionë eurosh të humbura nga mashtrimet në vitin 2024.
Më shumë se 80 për qind e këtyre humbjeve ndodhën në rrjetet sociale, ku Facebook, WhatsApp dhe Telegram ishin platformat më të synuara.
– YouTube www.youtube.com
Skemat më fitimprurëse të mashtrimeve me “deepfake” përdornin elementë video dhe audio për të imituar persona të famshëm – nga yjet e njohur deri te liderët e biznesit dhe financave – me qëllim promovimin e investimeve mashtruese.
Në vitin 2025, politikanët evropianë nuk mbetën të imunizuar ndaj këtyre skemave, transmeton Telegrafi.
Për shembull, një video “deepfake” ndryshoi një fjalim të presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki, duke bërë që të dukej sikur ai po promovonte një platformë investimesh mashtruese.
Në një tjetër “deepfake” që u përhap gjatë verës, kancelari gjerman Friedrich Merz ftonte publikun të regjistrohej në një platformë investimesh, gjë që bëri që organizatat për të drejtat e konsumatorëve të lëshonin alarmin për videon e rreme.
Mashtrimet romantike – ku mashtruesit përdorin video dhe audio realiste për të krijuar marrëdhënie të rreme romantike me viktimat – gjithashtu po rriten.
Pasi bindin viktimat se janë në një marrëdhënie të vërtetë, zakonisht u kërkojnë para për të kryer procedura mjekësore të pretenduara si urgjente.
Mashtruesit romantikë shpesh i gënjejnë viktimat që t’i përfshijnë edhe në skema investimesh mashtruese.
Në Francë, historia e një gruaje u bë virale në fillim të vitit 2025, pasi ajo zbuloi se ishte mashtruar duke u dashuruar me një burrë që besohej se ishte Brad Pitt.
Në të vërtetë, ajo u mashtrua nga një rrjet i sofistikuar mashtrimesh, i cili e bindte se ylli i Hollivudit ishte shumë i sëmurë dhe kishte nevojë për para për procedura mjekësore – gjë që e çoi atë të jepte më shumë se 800 mijë euro.
Ndërsa mashtruesit romantikë veprojnë globalisht, ekzistojnë qendra rajonale në Afrikën Perëndimore (veçanërisht në Nigeri dhe Gana), si dhe në Azinë Juglindore, përfshirë Kamboxhia, Mianmarin dhe Filipinet.
Humbjet nga mashtrimet romantike zakonisht janë më të vogla se ato të investimeve mashtruese, por sulmet shumë të targetuara mund të lënë viktimat me dëmtime serioze psikologjike.
Çka është deepfake?
“Deepfake” është një term që vjen nga kombinimi i fjalëve “deep learning” (mësimi i thellë) dhe “fake” (i rremë).
Në thelb, deepfake është një video, audio ose imazh i rremë i krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, që duket shumë i vërtetë.
Me deepfake, mund të krijohen situata që nuk kanë ndodhur në realitet, për shembull:
- Një video ku një person i famshëm duket sikur po flet ose vepron në një mënyrë që nuk ka ndodhur kurrë.
- Audio ku dikush duket sikur po thotë diçka që nuk ka thënë.
- Manipulim i fytyrës ose gjesteve në filmime për të krijuar mashtrime.
Në praktikë, deepfake mund të përdoret për arsye të padëmshme, si në filma ose media, por gjithashtu mund të përdoret për mashtrime, shpifje ose manipulim politik dhe financiar. /Telegrafi/